E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndërkombëtarët kërkojnë pajisjen me karta të qytetarëve, për zgjedhje të lira

OSBE/ODIHR: Roli ynë është vëzhgues dhe raportues, ne nuk jemi policia e zgjedhjeve
Zhvillimi i zgjedhjeve të qershorit sipas standardeve dhe zbatimi i rekomandimit të ndërkombëtarëve për këtë proces, janë dy ndër kushtet më të rëndësishme për vendin tonë. Por garantimi i zgjedhjeve të ndershme e të lira mund të bëhet nëpërmjet pajisjes së qytetarëve me karta identiteti. Ky ka qenë mesazhi i parë i OSBE-ODIHR-it, i cili do të vëzhgojë procesin parazgjedhor në Shqipëri. ODIHR ka një mision të qartë për zgjedhjet e qershorit në Shqipëri; të raportojë dhe jo të paragjykojë. Këtë mesazh e ka përcjellë ambasadorja britanike Audrey Glover, kryesuesja e misionit të vëzhguesve të OSBE- ODIHR në vendin tonë. Sipas saj, zgjedhjet janë shumë të rëndësishme për Shqipërinë dhe OSBE-ODIHR po monitoron me kujdes procesin e pajisjes me karta identiteti të qytetarëve. Fushata zgjedhore, pajisja me karta, regjistrimi i votuesve, puna e KQZ-së dhe zbatimi i Kodit Zgjedhor do të jenë çështjet kryesore ku do të fokusohemi. Përsa i përket kartave, prej kohësh ODIHR ka kërkuar pajisjen e shtetasve me këtë dokument dhe është në dorën e autoriteteve mbarëvajtja e këtij procesi të rëndësishëm, ka nënvizuar Glover. Zyra e OSBE-së për institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut ( ODIHR) ka filluar ditën e djeshme misionin e vëzhgimit të zgjedhjeve për monitorimin e zgjedhjeve të 28 qershorit në Shqipëri. ODHIR ka këshilluar që qytetarët të pajisen me kartat e identiteti. Ne do e ndjekim me shumë kujdes, dhe procesi i pajisjes me karta identiteti do të jetë në vëmendjen tonë të veçantë. Autoritetet duhet të bëjnë ç'është e mundur, që qytetarët në ditën e zgjedhjeve të jenë me karta identiteti, deklaroi Audrey Glover, drejtuese e misionit të OSBE-ODIHR. Gjatë fjalës së saj, Glover veçoi se ajo që ndodh para zgjedhjeve është po aq jetësore sa ajo që ndodh në ditën e zgjedhjeve dhe OSBE- ODHIR nuk ka mbërritur me paragjykim apo axhendë të fshehur, por si gjithmonë ata do të lënë faktet të flasin vetë. Ne jemi këtu me ftesë të ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë dhe roli ynë është të vëzhgojmë procesin e zgjedhjeve dhe jo të ndërhyjmë në të. Roli ynë është vëzhgues dhe raportues, ne nuk jemi policia e zgjedhjeve. Vlerësimi ynë i këtyre zgjedhjeve bazohet në angazhimin që vendet pjesëmarrëse të OSBE-së kanë rënë dakord në dokumentin e Kopenhagenit në1990-ën dhe në bazë të legjislacionit vendas, deklaroi ambasadorja Audrey Glover. Kryetarja e Komisionit të OSBE-ODIHR, Audrey Glover duke theksuar rëndësinë e këtyre zgjedhjeve për Shqipërinë bëri me dije se në këto momente, Shqipëria ka shumë nevojë për standarde të larta në zgjedhje. Shpresojmë që ato standarde, që u arritën në zgjedhjet parlamentare të 2005-ës, të konsolidohen me këto zgjedhje të qershorit, vijoi ajo. Shefja e misionit, njoftoi mbërritjen e 26 vëzhguesve afatgjatë në fund të javës së ardhshme dhe mbi 400 të tjerëve pak ditë para zgjedhjeve. Skemi caktuar ende hartën e shpërndarjes se vëzhguesve, pasi nuk e dimë ende sa të tillë do të jenë të pranishëm. Ne kemi kërkuar 400 vëzhgues përveç 26 vëzhguesve afatgjatë. Megjithatë, do të shpërndahen në mënyrë të barabartë në gjithë territorin dhe nuk do ti kushtojmë vëmendje zonave të nxehta, nënvizoi Glover. Diplomatja, e cila ka kryesuar edhe grupin e vëzhguesve të zgjedhjeve të fundit presidenciale në SHBA deklaroi se ODHIR do të hartojë tre raporte për ecurinë zgjedhore, nga të cilët i pari pritet të dalë në fund të këtij muaji.
Misioni i OSBE- ODHIR
Me mbërritjen e 26 vëzhguesve të parë afatgjatë, misioni i monitorimit është çelur zyrtarisht. Deri në ditën e zgjedhjeve, OSBE -ODIHR, do të publikojë tre raporte. Secili prej tyre do të përmbajë vlerësimin për fushtatën, përfaqësimin e qytetarëve në listat zgjedhore, pajisjen e tyre me karta identiteti, zbatimin e kodit të ri elektoral shoqëruar nga rekomandimet përkatëse. Në ditën e heshtjes zgjedhore, pranë qendrave të votimit do të shpërndahen edhe 400 vëzhguesit e tjerë. OSBE/ODIHR, i cili nisi ditën e djeshme misionin për vëzhgimin e zgjedhjeve në Shqipëri, përbëhet nga 14 ekspertë ndërkombëtarë nga 10 shtete të ndryshme të vendosur në Tiranë dhe 26 vëzhgues afatgjatë të cilët do të dërgohen në të gjithë vendin. Janë vëzhgues të kombësive të ndryshme, që nga diplomatë, analistë ligjorë, zgjedhjesh dhe mediash. Misioni do të drejtohet nga ambasadorja Audrey Glover, nga Britania e Madhe. Përveç vëzhguesve të OSBE-së dhe ODIHR-it, që janë të specializuar për vëzhgimin e zgjedhjeve, pritet që të ketë dhe vëzhgues të pavarur nga organizma të tjerë, por certifikimi i zgjedhjeve bëhet pikërisht nga këta vëzhgues që filluan punën ditën e djeshme.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›