Korçë, nuk i pëlqen fatura, rrahin faturistin
KORÇË- Një i ri përfundon në pranga ndërsa dy të tjerë janë shpallur në kërkim pasi kanë keqtrajtuar lexuesin e matësve elektrikë. Ngjarja është regjistruar në qytetin e Maliqit, ndërsa protagonistë të saj janë bërë tre banorë të zonës. Autori kryesor i kësaj ngjarjeje, 25- vjeçari Azem Marjankuështë prangosur nën akuzën e goditjes për shkak të detyrës në bashkëpunim. Duke iu referuar burimeve zyrtare të policisë së Korçës, mësohet se Marjanaku, banor i qytetit të Maliqit, i dënuar dhe një herë për “vjedhje”, një ditë më parë i shoqëruar dhe me Riza Marjanakun 37- vjeçar si dhe Olger Asimllarin, 27 vjeç, po nga qyteti i Maliqit, kanë goditur lexuesin e matësve elektrikë. Ngjarja ka ndodhur për shkak të një fature elektrike tatimore që i është vendosur motrës se Olger Asimllari, ndërsa të tre autorët e ngjarjes më pas kanë shpërthyer në dhunë. Të tre agresorët kanë rrahur barbarisht lexuesin e matësve elektrikë ndërsa e kanë akuzuar atë si përgjegjës për vendosjen e faturës në disfavor të motrës të njërit prej agresorëve. Pas denoncimit policia, ka kryer veprimet hetimore për akuzat e “goditjes për shkak të detyrës e kryer në bashkëpunim”. Burimet nga komisariati i Korçës bënë të ditur se po punohet për kapjen e dy autorëve të tjerë të kësaj ngjarjeje, të cilët janë larguar menjëherë sapo kanë mësuar se është bërë kallëzim ndaj tyre.