E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokuroria, Hipotekës: Bllokoni pronat e Fazliç

 

TIRANE-Prokuroria i kërkon Zyrës së Regjistrim it të Pasurive të Paluajtshme bllokimin e të gjitha pronave që biznesmeni serbo-boshnjak, Damir Fazliç ka në Shqipëri. Urdhri ndalon hipotekat të pranojnë çdolloj akt-shitblerjeje apo lëshimi me qira që Fazliç mund të bëjë në të ardhmen me këto pasuri të patundshme, vlera totale e të cilave sipas këtij të fundit llogaritet në rreth 50 milionë euro. ZRPP-ja është e detyruar që pasi të ketë verifikuar të gjitha pronat e paluajtshme që Fazliç ka regjistruar pranë saj, duhet ta depozitojë këtë raport pranë organit të akuzës. Me marrjen e të gjithë dokumentacionit, Prokuroria pritet t'i drejtohet më pas gjykatës me kërkesën për sekuestrimin e tyre. Në bazë të Kodit të Procedurës Penale, sekuestroja e pasurive të paluajtshme vlen vetëm në rast të një vendimi të formës së prerë të gjykatës dhe pushon së vepruari kur vendimi i pafajësisë apo pushimit të çështjes ka marrë formë të prerë po me vendim gjykate.
Hetimet
Hetimet ndaj serbo-boshnjakut Damir Fazliç kanë nisur një ditë para se ai të mbërrinte në Shqipëri, ku vetëm pas katër orësh qëndrimi në Tiranë mori rrugën e kthimit me çarterin e porositur prej tij. Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, bëri me dije se procedimi penal ndaj Damir Fazliç është regjistruar me 7.10.2008, për veprën penale të "pastrimit të produkteve të veprës penale". Një ditë më vonë, e konkretisht me 8.10.2008, rreth orës 12.30 Prokuroria e Tiranës është vënë në dijeni se ai ndodhej në kryeqytet duke dhënë intervistë për një media televizive. "Prokurorët e çështjes, pasi analizuan të dhënat që rezultonin deri në këtë kohë, vendosën në bazë të nenit 308 të Kodit të Procedurës Penale, t'i bëjnë ftesë për paraqitje Damir Fazliç, për të dhënë shpjegime rreth fakteve që i atribuoheshin këtij shtetasi", thuhet në njoftimin për shtyp të organit të akuzës. Kryeprokurorja sqaroi se "Prokuroria e Tiranës, duke pasur informacion se udhëtimi i Damir Fazliç për t'u larguar nga Shqipëria do të kryhej në orën 16:30, depozitoi dhe protokolloi në Komisariatin e Policisë Rinas, në orën 15:06, nëpërmjet oficerëve të policisë gjyqësore, ftesën për paraqitje të tij", thuhet më tej në njoftim, duke saktësuar se komunikimi në bazë të ligjit mund të bëhet dhe verbalisht. "Me gjithë përpjekjet e oficerëve dhe prokurorëve për t'i komunikuar ftesën për paraqitje, kjo nuk u bë e mundur për shkak se Fazliç u largua nga aeroporti 1 orë përpara se sa ishte planifikuar largimi i tij", - saktësohet në njoftimin e prokurorisë, që mohon kategorikisht të ketë firmosur urdhër-shoqërimin për serbo-boshnjakun.

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›