Ministri Olldashi bllokon eksportet me Italinë
Çdo vit, import-eksporti i mallrave me këtë vend bllokohet 1-3 muaj për mungesë të lejeve bilaterale të kalimit për kamionët shqiptarë. Prej vitesh nuk zgjidhet problemi i lejeve të transportit
TIRANE- Dhoma Kombëtare e Prodhuesve të Veshjeve ka shprehur dje shqetësimin e saj të përsëritur, për shkak të bllokimit të muajve të fundit të eksporteve të prodhimit të veshjeve me material porositësi në drejtim të Italisë. Çdo vit, import-eksporti i mallrave me këtë vend bllokohet 1-3 muaj për mungesë të lejeve bilaterale të kalimit për kamionët shqiptarë. Pavarësisht nga përpjekjet diplomatike dhe ato të strukturave të tjera të shtetit shqiptar, moszgjidhja e problemit edhe këtë vit ka sjellë një dëm të konsiderueshëm për subjektet shqiptare, që punojnë me homologët e tyre italianë. Dhjetëra e qindra kompani shqiptare të konfeksioneve, anëtarë të Dhomës Kombëtare të Prodhuesve të Veshjeve, paraqiten aktualisht me bllokim të prodhimit, mungesë likuiditetesh dhe ndodhen përpara rrezikut të penalizimeve të rënda për shkak të tejkalimit të afateve kontraktore me partnerët italianë të konfeksioneve, theksohet në një komunikatë të Dhomës së Prodhuesve të Veshjeve.
Ndërkohë, autoritetet shqiptare i kanë zgjidhur tashmë të gjitha problemet burokratike me qeverinë greke në këtë drejtim, duke arritur që Athina zyrtare të pajisë subjektet eksportuese shqiptare me leje të qarkullimit ndërkombëtar me afat dyvjeçar, duke ofruar zgjidhjen me optimale. Problemet janë zgjidhur me kohë edhe me vende si Gjermania, Bullgaria, Maqedonia etj. Madje, me dy shtetet e fundit është arritur të hiqen tërësisht lejet e transportit ndërkombëtar me Shqipërinë. Sipas informacioneve të Dhomës Kombëtare të Prodhuesve të Veshjeve, nga 14.000 -15.000 copë, që kanë qenë kërkesat vjetore të transportuesve, nga pala italiane janë miratuar 9.500 copë dhe, me shumë vështirësi, është arritur të shtohen deri 3.500 copë të tjera.
(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)