E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Korçë, rikonstruksioni i “Mitropolisë”, një atraksion më shumë për qytetin

Kisha “Burimi Jetëdhënës”, ose siç njihet ndryshe Mitropolia e Korçës, është duke u rilindur dhe me përfundimin e saj qytetit do i rikthehet një vlerë e çmuar historike, kulturore dhe arkitekturore, shkruan ATSH.

Mitropolia është një nga ndërtesat më emblematike të Korçës. Ajo nisi të ndërtohej në vitin 1927 dhe përfundoi në 1936 si një katedrale e tipit bazilikal, sipas projektit të hartuar nga inxhinieri Nastas Pilina.

Kjo kishë është ngritur mbi vendin e kishës së vjetër katedrale. Për përfundimin dhe plotësimin e kishës aso kohe kontribuoi populli i Korçës e filantropë si Thoma Turtulli por edhe dhurues nga diaspora, familjet Thomai, Kostandiniu, etj.

Vlerat e mbetura të katedrales së vjetër, si ikonastasi i mrekullueshëm, amvoni froni episkopal, ikonat e të talentuarve vëllezër Konstandin dhe Athanas Zografi, u vendosën dhe u adaptuan në katedralen e porsangritur. 

Pikturimi i mureve, kupolave si dhe një pjesë e ikonave është kryer nga motrat Zengo, babai i tyre Vangjeli si dhe piktori tjetër Dallta. 

Kjo kishë ishte aq madhështore, sa konsiderohej më e madhja dhe më e bukura kishë ortodokse në Shqipëri, për të cilën korçarët me të drejtë krenoheshin.

Në vitin 1967 kësaj kishe iu mbyllën dyert, pas regjimi komunist ndaloi dhe luftoi ashpër besimet fetare. Pas kësaj me ndërhyrjen e shumë të nderuarit studiuesit Theofan Popa, ajo u kthye në shpëtimtare për grumbullimin e ikonave që mbeten pa u djegur, dhe pas viteve 1970 ajo do të adoptohej në muze të artit mesjetar.

Projekti i restaurimit si dhe rikonstruksioni i plotë i kishës “Burimi Jetëdhënës” është hartuar në vitin 2019 nga inxhinier Dhimitri Kondakçi, i cili është edhe zbatuesi i punimeve. Në karierën e tij shënohet edhe restaurimi edhe i 36 kishave të tjera.

/ Sipas ATSH /

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›