E Shtunë, 31 Tetor 2026

Korçë, shembet natën shtëpiamuze e Themistokli Gërmenjit

Pas skandalit të zhdukjes së pikturave nga fondi i Galerisë së Arteve në Korçë, një tjetër skandal u regjistrua dje me veprat kulturore e historike të këtij qyteti. Godina që kreu funksionin e selisë qendrore të Republikës Autonome të Korçës është gdhirë e shembur gjatë natës nga persona ende të paidentifikuar. Shtëpia muze e shpallur monument kulture e Themistokli Gërmenjit është klasifikuar si monument kulture i kategorisë së parë që në vitin 1977. Prej vitesh, kjo ndërtesë ishte thuajse gërmadhë, pasi askush nuk kishte ndërhyrë për ta përmirësuar gjendjen e saj. “Banesa ku u ngrit Flamuri i Republikës së Korçës, (Muzeu Historik që nga viti 1977) tashmë është rrënuar plotësisht dhe nuk përmban më asnjë vlerë në këtë gjendje”, u shprehën banorë të Korçës, mjaft të indinjuar për këtë ngjarje. Pikërisht në 100- vjetorin e shpalljes së pavarësisë, një tjetër monument kulture me vlera historike i zhduket qytetit të Korçës. Rasti është denoncuar nga vetë kryetari i Bashkisë së Korçës, Niko Peleshi, i cili duke dënuar lënien në harresë të monumenteve të kulturës, theksoi se askush nuk do të mund ta tjetërsojë këtë monument tashmë të shkatërruar. Duke ngritur dyshimin se mund të ketë persona të cilët kanë ndërhyrë qëllimisht në këtë ndërtesë, Peleshi paralajmëroi se e vetmja leje që mund të japë Bashkia e qytetit për ndërtim në këtë vend, është ajo e rindërtimit të ndërtesës përmes një projekti sa më afër origjinalit. “Jemi sinjalizuar se është shkatërruar kjo ndërtesë, e cila është një prej pjesëve historike të qytetit të Korçës. Ajo që unë garantoj është se nuk do të ketë asnjë leje ndërtimi përveç asaj që do të synojë rikthimin në gjendjen e mëparshme të ndërtesës dhe ruajtjen e vlerave të padiskutueshme të saj. Unë nuk dua t’i vë gishtin askujt, por punonjësit e Bashkisë janë dëshmitarë të ndërhyrjes që është bërë këtu me mjete të rënda për ta shkatërruar këtë ndërtesë. Ne kemi bërë denoncimin në Polici dhe kemi sinjalizuar edhe Drejtorinë e Monumenteve të Kulturës, ndaj do të presim autoritetet të veprojnë”, u shpreh Peleshi. dh.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›