E Shtunë, 31 Tetor 2026

Koreja e Veriut me test të ri raketor

Imazhet e fundit satelitore tregojnë se Koreja e Veriut është duke përgatitur lëshimin e një rakete me rreze të gjatë veprimi, raportoi “CNN” të mërkurën.

Nëse lajmi do të konfirmohet, testi i paautorizuar i Phenianit mund të destabilizojë të gjithë rajonin.

Koreja e Veriut tentoi një lëshim të pasuksesshëm më parë gjatë vitit dhe një testim i dytë në disa muaj distancë do të ishte i paprecedent.

Në total, që prej vitit 1998, vendi komunist ka tentuar gjithsej vetëm katër lëshime, por gjithmonë me distancë kohore disa-vjeçare.

”Lëshimi i një rakete të re me rreze të gjatë do të ishte thellësisht i motivuar politikisht. Veri-koreanët synojnë një impakt sa më të thellë politik brenda dhe jashtë vendit nëpërmjet një testimi të tillë”, deklaroi për “CNN” një prej ekspertëve raketorë, Joe Bermudez.

Përgatitjet e Phenianit synojnë gjithashtu të japin një porosi të fortë fuqive të tjera të rajonit, me Korenë e Jugut që do të lëshojë një raketë në hapësirë gjatë javës.

Gadishulli i Koresë mbetet i ndarë që prej vitit 1953, pas tri vitesh luftë të përgjakshme midis veriut komunist dhe jugut të mbështetur nga forcat demokratike.

Konflikti përfundoi atëherë me një armëpushim, por pa një traktat paqeje, prandaj Koretë janë zyrtarisht ende në luftë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›