E Enjte, 5 Nëntor 2026

Koreja e Veriut pretendon se ka testuar me sukses raketën hipersonike

Koreja e Veriut ka njoftuar se ka kryer “me sukses” testimin e raketës së saj hipersonike të zhvilluar rishtazi.

Sipas Agjencisë Qendrore Koreane të Lajmeve, udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, së bashku me zyrtarë të tjerë të lartë të qeverisë dje ishin të pranishëm gjatë testit të kryer nga Akademia e Shkencave të Mbrojtjes, .

Njoftimi erdhi një ditë pasi ushtria e Koresë së Jugut tha se zbuloi se Pheniani kishte lëshuar një raketë balistike të dyshuar në detin e saj lindor.

Pretendohet se në testin e ndjekur nga udhëheqësi i Koresë së Veriut u testua raketa hipersonike e cila goditi me sukses objektivin në ujëra në një distancë prej 1.000 kilometrash.

Ky ishte testi i dytë i Koresë së Veriut të raketës hipersonike të supozuar të zhvilluar rishtazi brenda një jave.

Sipas agjencisë së lajmeve Yonhap, pas testit të djeshëm, Koreja e Jugut reagoi ashpër dhe i bëri thirrje Phenianit që t’i përgjigjet thirrjes së saj për dialog.

“Koreja e Veriut duhet të zgjedhë bashkëpunimin për paqen mbi aktet që bien ndesh me përpjekjet për të ndërtuar paqen në Gadishullin Korean, siç janë lëshimet e fundit të raketave në këtë moment kritik për stabilizimin e situatës politike rreth gadishullit”, citoi agjencia të ketë thënë një zyrtar i Ministrisë së Bashkimit të Koresë së Jugut.

Në tetor të vitit të kaluar, Koreja e Veriut konfirmoi se kishte zhvilluar një raketë hipersonike.

Raketat hipersonike zakonisht fluturojnë pesë herë më shpejtë se shpejtësia e zërit ose 6.125 kilometra në orë, duke u dhënë pak kohë armiqve që të përgjigjen.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›