Korrespodenca mes dy “tradhtarëve”
Pas dy dekadash të distancës së ndërsjellë, injorimit dhe prodhimit të stereotipeve, duket se ka ardhur koha që të rishqyrtohen kapacitetet reale të të dy skenave dhe t’i ofrohen pastaj Palës tjetër.
Krahas nevojës elementare njerëzore për kuptimin e ndërsjellë, projekti i antologjive nga Prishtina dhe Beogradi ka për qëllim të theksojë vlerat letrare të teksteve të prezantuara, gjë që do të mund të shërbente si hyrje në një komunikim të rregullt kulturor me Kosovës dhe Serbisë.
Projekti është ideuar dhe realizuar nga Kompleti Propagandistik Kulturor ‘Beton’ (Beograd) dhe nga Qendra Multimediale (Prishtinë), nën patronazhin e Traduki (BE).
Nga libri “Nga Prishtina me Dashuri”, po sjellim disa letra të letërkëmbimit ndërmjet Sasa Ilic dhe Jeton Nezirajt, të cilat këta të fundit i shkëmbyen gjatë realizmit të projektit. Korrespodenca është botuar si hyrje e kësaj antologjie.
Korrespodencë “tradhtarësh”
I dashuri Jeton,
Vera po hyn në fazën e saj kritike, politikanët janë në pushim, e gazetarët nuk po dinë më për çfarë të shkruajnë, andaj po nxjerrin valixhet e vjetra dhe po publikojnë dokumente të vjetruara. Në ato dokumente, përveç pluhurit që u hidhet njerëzve në sy nuk ka asgjë më tepër.
Ndoshta kjo është kohë ideale për punën që e filluam në mars të këtij viti, kur u takuam në Panairin Ndërkombëtar të Librit, në Leipzig. E ku tjetër do të mund të takoheshim, kur komunikimi i sotëm me Kosovën funksionon kryesisht vetëm në një drejtim, dhe kur kufirin në Merdar mund ta kalosh vetëm nëse ke dokumente serbe, në të kundërtën duhet t’ia mësysh ndonjë rruge rrotull.
Është interesante se sivjet këtë kufi e kalova për herë të parë, derisa po udhëtoja në Prishtinë, në promovimin e Shënimeve Sarajevase. Ti e di edhe vetë se si duket: e gjen një kombibus që qarkullon në relacionin Beograd-Prishtinë, ulesh deri tek stacioni i trenit, e prej atje niset kombibusi... dhe, nisesh drejt të panjohurës. Më kujtohet që asokohe po vazhdonte afera e ndërprerjes së provajderëve të shërbimeve të telefonisë celulare, kështu që deri në Merdar po ngutesha t’ju dërgoja miqve porosi, para se t’ humbja sinjalin.
Mund të them se udhëtimi bartte me vete diçka nga ato emocionet që njerëzit, me gjasë, i ndjejnë kur dalin nga burgu, ose nga një shtet nën sanksione, të cilat i ndjeva teksa po e kaloja kufirin në Kelebi, në vitin 1999. Asokohe, për herë të parë pas fëmijërisë së hershme, kur prindërit më shpinin në verime në Greqi, dola jashtë shtetit. Paraprakisht kisha probleme të shumta derisa e nxora pasaportën, sepse s’munda t’i dëshmoj nëpunëses në sportelin e MPB’së se vërtet e kisha përfunduar shërbimin ushtarak, dhe se vulën e parë në librezën ushtarake nuk e kisha sepse, më 1991, kur si rekrut arrita në njësitin e Marinës Luftarake të Jugosllavisë (JRM), kishte filluar lufta. E atëherë, nën kuvertën e një anijeje, për herë të parë në jetë u takova me shqiptarë.
Nuk e di çka do të më thoshte gruaja në sportel po t’ia tregoja këtë gjë asokohe, pak pas luftës në Kosovë. Gjithsesi që do të më çonte në të s’ëmës dhe do t’i thërriste policët kujdestarë që të më dëbonin nga radha në të cilën i kisha kaluar disa orë deri atëherë. Asokohe, mu kujtua Bekë Berisha trupshkurtër e sygjelbër, marinari nga klasa e 106 e JRM’së, me të cilin flija bashkë nën kuvertë. Të dy kishim thasë fjetjeje dhe ndanim një hapësirë të ngushtë, derisa prisnim të anija të mbërrinte në Boka Kotorska, ku duhej të fillonte odiseja jonë.
Në Prevlaka po shihej me të madhe, e luftanijet për çdo natë po lundronin nga Tivati drejt Dubrovnikut e Ploçe’s. Të nesërmen në mëngjes do të ktheheshin, e ne, si ‘zhapinj’ të sapoardhur po shkonim që të zbarkonim kapsulat gjigante të topave. Kutërbonin erë baroti dhe fatkeqësie. I palosnim në karroca të mëdha dhe iu shpinim brenda sallave të blozëta të Entit për Remont. Ishim fuqi punëtore e luftës dhe i shtynim ato karroca me kapsula drejt dyerve të shtrembëruara për t’u rimbushur sërish. Asokohe, derisa me Berishën po i shtyja karrocat, e mësova edhe fjalën e parë në shqip – Zhapin. Nuk e di nëse ajo përdoret fare në gjuhën standarde shqipe, por për ne atyre ditëve ishte shndërruar në pjesë të pandashme të zhargonit të marinarëve.
Kështu, si ‘zhapin’, po qëndroja para sportelit të MPB’së në Vozdovac, pa asnjë mundësi që t’iu sqaroja çfarëdo qoftë organeve të pushtetit. Vetëm und ta ulja dhe të kërkoja ndonjë zgjidhje tjetër. E gjetja e një zgjidhjeje tjetër gjithmonë ishte hobi i vetëm i marinarëve të rinj – zhapinjve, të cilët maltretoheshin nga të gjithë me radhë. Kështu hyra edhe brenda kombit për Prishtinë, ku tashmë ishin ulur udhëtarët me përvojë të atij relacioni, e të cilët po më shikonin me habi. Kurrë nuk do të pushosh së qeni zhapin, më thoshte para shumë vitesh Bekë Berisha.
Dhe, kishte të drejtë. Kombi po bënte një pauzë të shkurtër në një kafene skaj rrugës, afër Pojatës. E pimë nga një kafe aty. Përderisa po shkruaja sms’ët e mi, në murin e kafenesë vërejta një pikturë të madhe të ndonjë artisti naiv: darka e dukës me valer të errët. Mendova se gjithçka përgjatë asaj rruge ishte shënjuar me të kaluarën, dhe se si gjithçka e kundërshton gjetjen e një zgjidhjeje tjetër. Mirëpo, si çdo zhapin, e vazhdova udhëtimin tim. Kur zbarkova në rrugë, jo fort larg stacionit të autobusëve në Prishtinë, njëri prej bashkudhëtarëve më tha se Hoteli Grand, stofulla e dikurshme e Arkanit, nuk punonte më. Madje nuk më preferoi as që t’ja mësyja Prishtinës.
E përshëndeta me dorë dhe mora trastën time. Par meje shtrihej Prishtina. Derisa po hyja në taksi e dija vetëm një gjë: erdha t’i gjeja rrëfimet që, mbase, do t’ma sqarojnë më mirë botën e mikut tim të humbur nga Marina, Bekë Berishës. Rrëfimet që pastaj do t’i kontrabandoj prapa në Beograd, me të njëjtin kombi, nëse vjen në kohën e caktuar.
Kështu erdha në Prishtinë për herë të parë...
Beograd, e premte, 13 gusht 2010.
Përshëndetje miqësore,
Sasa
***
I dashuri Sasa,
Në këtë apo në ndonjë mënyrë tjerë, të gjithë ne ishim dhe mbetëm zhapinj; zhapinj ishim dje, në luftë, dhe zhapinj jemi sot, në paqe. Kishte plotësisht të drejtë miku yt nga ushtria, Bekë Berisha! Jeta e zhapinit vazhdon të na përcjellë, mik... Është shumë e habitshme që në letrën tënde shkrove për disa gjëra për të cilat mendoja të shkruaja edhe unë, e të cilave s’mund t’u shmangesh gjatë komunizmit të këtij lloji.
Komunikim ky, i cili, më beso, po më plotëson që tani me njëfarë emocioni të çuditshëm, asi që mund të ketë vetëm njeriu që për herë të parë hyn në kopshtin zoologjik. Të përzier me kënaqësi dhe me frikë, me befasi dhe me optimizëm... Por, para së gjithash, kënaqësia është këtu.
Këtu, ku jam ulur dhe po shkruaj, tani është një restorant u bukur i dajës tim. Para afro pesëmbëdhjetë vitesh, ishte pronë e një serbi, një lokal ky në të cilin serbët jetonin e punonin deri në vitin 1999. Tani në këtë fshat serbët nuk jetojnë më; janë shpërngulur në Serbi ose në pjesë tjera të Kosovës ku jetojnë serbët.
Banorët shqiptarë të këtyre anëve, që kanë prirje për humor cinik, do të thoshin se “nuk mbetën më serbë as për ilaç”. Fshati ku jam rritur nuk është fort larg fshatit ku jetonin serbët, megjithëse kontaktet e mia me serbë ishin të rralla, shumë të rralla. Si 15-vjeçar, dhe bashkë me një grup fëmijësh, po shkonim për udhëtim turistik në Beçiq. Brenda grupit prej rreth 20 fëmijësh ishte edhe një fëmijë serb (quhej Dejan), i cili, meqë ishte serb, gëzonte një trajtim të veçantë nga edukatorët që po na përcillnin. Nga Dejani asokohe mësova që në serbisht të them vetëm “Jebem ti mater!” Shumë vjet më vonë, gjatë viteve të 90’a, Dejani filloi të punonte në komunë, në departamentin për dhënien e dokumenteve (pasaportave dhe letërnjoftimeve) dhe e di se u bë njeri i urryer nga shqiptarët.
Dejani punonte në një vend pune ku, si shqiptar, diskriminimin dhe nënçmimin mund ta ndjeje më së lehti. Ishte kjo koha kur jetën e një shqiptari të Kosovës, shumë Dejanë e trajtonin si jetën e një qeni rruge.
Në klasën e katërt apo të pestë të shkollës fillore (asokohe quhej Milan Zecar, e më vonë u shndërrua në Kadri Zeka), gjuhën serbokroate na e ligjëronte mësuesi serb, Bora. Bora ishte njeri i mirë. I qetë, e i kujdesshëm. I mjaftonte që të na thoshte: “Lexojeni këtë mësim me radhë”, e pastaj, zakonisht do të kotej brenda orës së mësimit.
Ai më dha një bazë solide të gjuhës serbe. Nga ajo kohë e kujtoj një ngjarje shqetësuese. Ruka dhe Safeti, dy nxënës këta jo fort të rehatshëm të një shkolle tjetër, e sulmuan me gurë arsimtaren e tyre serbe (ishte e vetmja arsimtare serbe që ishte pjesë e kuadrit mësimor të shkollës). Nuk e di se cili do të mund të ketë qenë motivi i sulmit, por mund të supozoj se tek fëmijët 9 apo 10-vjeç, sa mund t’i kenë pasur ata atëherë, as që mund të flitej për ndonjë prapavijë politike.
Dënimi për të dy nxënësit ishte i tmerrshëm. Isha dëshmitar i një pjese të shqiptimit të dënimit. Djelmoshat fillimisht u sollën në shkollën tonë, sepse deri te ajo duhej të ecnin shumë më gjatë. E në përpjekje për të dëshmuar se ishin distancuar nga sjellja e atyre fëmijëve, arsimtarët shqiptarë i rrihnin pamëshirshëm. I rrihnin pashpirt edhe në praninë tonë. Isha tepër i vogël për të kuptuar fajin e tyre, për të cilin thuhej se “ishte i tmerrshëm”. Arsimtarja ishte serbe, dhe kjo e dhjetëfishonte fajin e dy nxënësve! Dënime të tilla, e mbase edhe më të tmerrshme, përfitonin edhe fëmijët e tjerë, të cilët ndonjëherë mblidhnin kurajën që të shkruanin parullën K. R. (Kosova Republikë) nëpër bankat e tyre.
Një herë, në fëmijërinë time të hershme, një kushëri i yni na i mësoi disa parulla, të cilat vëllai im dhe unë i brohorisnim në oborrin e shtëpisë sonë, të hipur mbi një grumbull drunjsh të prerë në oborr. Një prej këtyre parullave ishte “Kosova Republikë”, e një tjetër, pak më e gjatë, përmbante disa vargje që tani nuk më kujtohen, megjithëse tingëllonte diçka ngjashëm me: “...Kushtetutë. Republikë… fshehu nën shkallë... e kur të del serbi, preje në fyt!” Xhaxhai im na dëgjoi e na u qep pas, dhe pas një ndjekjeje të gjatë na i skuqi veshët. Na detyroi që t’i tregonim se prej kujt e kishim dëgjuar këtë gjë. Një kohë të gjatë pas kësaj ndjenim keqardhje për shkak të “tradhëtimit” të kushëririt tonë; na vinte keq, sepse më s’mund të shkonim tek ai në shtëpi, e as të hanim bukën e mrekullueshme që e gatuante nëna e tij.
Më kujtohet, po ashtu, se gjyshi ynë, para se të binim në gjumë, na pyeste nëse e kishim marrë me vete sëpatën (e cila zakonisht qëndronte në oborr). Sëpata duhej të futej brenda për çdo natë. Gjyshi kishte një sqarim të thjeshtë për këtë gjë: “Nëse vijnë serbët që të na copëtojnë gjatë gjumit, të paktën le të na copëtojnë me sëpatat e tyre, e jo me tonat”. Kjo traumë e gjyshit sigurisht që lidhej me ngjarjet e mëhershme, kur bandat serbe dhe shqiptare i shkretëronin fshatrat e njërës ose palës tjetër.
Si fëmijë, gjithnjë i paramendoja këto skena, se si tanët me sëpata dhe kosa i turren natën apo para agimit ndaj ndonjë fshati serb, dhe e lënë shkret. E pastaj anasjelltas, se si serbët vijnë me sëpata, me kosa e thika, dhe i lënë shkret fshatrat tona. fatkeqësisht, këto skena të tmerrshme, sikurse ato të anktheve të natës, i pashë edhe ‘live’ shumë vjet më vonë, gjatë luftës në Kosovë.
Mu kujtuan këto fragmente nga fëmijëria për të nënvizuar se në Kosovë mes serbëve dhe shqiptarëve sundonte mosbesimi dhe frika e ndërsjellët.
Një frikë kjo e mbjellë që bartej ndër gjenerata të tëra. Këtë frikë dhe mosbesim e kultivuan me shumë kujdes nacionalistët të dyja anëve. Ata, thjeshtë, i përhapnin gacat e zjarrit, flaka e të cilit pastaj përhapej ngadalë përgjatë Kosovës, e besoj, edhe tek ju, në Serbi. Këto ishin dhe mbetën hapësira që njihnin dhe ende njohin vetëm patriotë dhe tradhtarë. Asgjë as më shumë e as më pak se kjo. Ose je me ata, ose me ne. Por, në fakt, sikurse tha miku yt Bekë Berisha, ishim dhe mbetëm vetëm zhapinj...
Ka shumëçka në këtë jetën tonë prej zhapinjve për të cilat do të doja të shkruaj, por kësaj here kaq mjafton.
Sepse, në të kundërtën, kjo letër e filluar me rastin e antologjisë sonë që po e përgatisim, do të mund t’i tmerronte lexuesit. Eh, miku im, e sheh se si për hyrje të antologjisë letrare zgjodhëm të flasim për të kaluarën! Epo mirë, edhe një letër apo dy dhe besoj që të kaluarën do ta dërgojmë në të s’ëmës, e pastaj, besoj se do të shkruajmë për zhapinjtë e sotëm dhe për zhapinizmin.
Në ndërkohë, me padurim e pres letrën tënde të dytë. E, unë të paralajmëroj (si në ato serialet latino-amerikane, ku paralajmërohen ngjarjet e episodit të ardhshëm) se në letrën e radhës do të doja të shkruaja për udhëtimin tim famoz në Leskovc, dhe për reagimet e këtyre “patriotëve të mi të përvuajtur” në lidhje me antologjinë tonë, edhe pse do të të shkruaj edhe jetën kulturore në Kosovë, nëse dëshiron... Fundi i fundit, mund të flasim edhe për politikë! Djalli e marrtë, le të flasim më edhe për politikë! Të bëjë be në Zotin që të mos refuzosh.
Për inat të zhapinjve të brendshëm, të cilët gjithsesi se në këtë komunikimin dhe bashkëpunimin tonë, falë teorive të tyre konspirative, do të zbulojnë synimet tona të fshehta, e të cilat (le t’i kuptojë edhe opinioni) do të dëshmojnë se unë jam një spiun serb, e ti një spiun shqiptar, ose se që të dy jemi spiunë amerikanë apo rusë.
E çka mendon ti, Sasa, për idenë e shkëmbimit të territoreve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë? Phu... tingëllon ashpër. Nëse dëshiron, ta lëmë anash të tërën. Më mirë është që ta shkëmbejmë literaturën, e pastaj... Kush e di, nëse e shkëmbejmë literaturën, ndoshta më vonë nuk do të ketë fare nevojë që t’i shkëmbejmë territoret!
Deri te letra jote e dytë.
E shtunë, 14 gusht 2010.
Miqësisht,
Jeton Neziraj
(nga E-Novine)