Impresionet fotografike të Spahisë
Para të artdashësve të kryeqytetit, ekspozitën fotografike të Fahredin Spahijës e bëri drejtori i Bibliotekës Kombëtare dhe Universitare, Sali Bashota. Ekspozita e fotografive e autorit, Fahredin Spahija, u cilësua të mos jetë ideologjike e as politike, “apo për konsum ditor, por është plotësisht estetike, që do të thotë se e rrokë shpirtin universal të artistit dhe refleksivitetin simbolist të asaj që mund të cilësohet si komunikim artistik”,tha Nysret Krasniqi i cili foli më tepër për ekspoziten e Fahredin Spahisë.
Ai midis këtyre shtoi, ,fotografia e Fahredin Spahisë për nivel të parë të komunikimit ka mimetikën e botës dhe mimetikën e njeriut.
“Kjo, sepse ajo vendoset në një hapësirë dhe ambient që duket se bëhet lehtë i pranueshëm për vrojtuesin që e do imazhin fotografik”, theksoi Krasniqi. Sipas tij, ai e kupton mirë se arti është dhembje, një revoltë, dhe një refuzim. E këto tri kategori e prodhojnë artin si universalitet.
“Fotografia e tij nuk e duron retorikën, nuk e duron thatësinë e pasqyrimit, por vihet vazhdimisht në kërkim të vetmisë së artit, e cila është bota e fuqishme e komunikimit konotativ, për ta dhënë fuqishëm shenjën e autorit në fotografi, dhe për ta bërë fotografinë një vepër poetike apo edhe tekst artistik”, nënvizoi Krasniqi.
Ndryshe, Fahredin Spahija me fotografi artistike merret profesionalisht. Spahija është i punësuar në Universitetin AAB, në Prishtinë, ku punon si profesor i fotografisë artistike, në Akademinë e Arteve, dhe si profesor i fotografisë mediale, në Fakultetin e Komunikimit Masiv. Që nga korriku i 2009 ai është në krye të Galerisë së Arteve të Kosovës.