Korridori Blu/ Punime në aksin Milot-Fier, Rama: Puna e gjithanshme në fazë konkretizimi

Puna për projektin e Korridorit Blu ka hyrë në një fazë konkretizimi. Kështu bëri me dije kryeministri Edi Rama në një postim në Facebook, ku ka ndarë informacione në lidhje me ecurinë e punimeve në aksin Milot Fier, pjesë e Korridorit.
“I ndjekim me vëmendje ankesat e mirëkuptueshme të drejtuesve të automjeteve në aksin Shkodër-Tiranë këtë verë dhe jemi shumë të vetëdijshëm për faktin që rritja marramendëse e fluksit të vizitorëve në këtë sezon fantastik për industrinë e turizmit, e ka rënduar edhe më shumë se zakonisht situatën e trafikut përgjatë këtij aksi, sidomos në segmentin Milot-Kashar.
Shpërblim i madh i përpjekjeve tona këmbëngulëse ky moment shpërthyes për turizmin, por shumë ndjesë për pasojën e këtij zhvillimi të shumëpritur, të cilën do ta vuajmë edhe për disa kohë në mungesë të Korridorit Blu. Lajmi i mirë është se puna e gjithanshme, me projektime dhe financime, për ta lidhur Shqipërinë Perëndimore nga veriu në jug me Korridorin Blu, një autostradë e mirëfilltë e standardeve europiane, ka hyrë më në fund në një fazë konkretizimesh po aq të shumëpritura sa edhe zhvillimi i mëtejshëm spektakolar i industrisë së turizmit”, shkruan Rama.
Kryeministri bën me dije se në segmentin Thumanë-Kashar është realizuar 40% e punës.
Në segmentet Milot-Thumanë, Kashar-Lekaj dhe Lekaj-Fier kanë përfunduar garat dhe janë gati tre kontratat e reja.
Për Segmentin Milot-Balldren, gara e ndërtimit pritet të hapet në vjeshtë.
Segmenti Muriqan-Lezhë, që lidh vendin me Malin e Zi, është në fazën e projektimit nga konsulentët e Fondit të Investimeve për Ballkanin Perëndimor dhe pritet të dorëzohet në dhjetor të këtij viti.
“Korridori Blu do të jetë kolona vertebrore e infrastrukturës turistike të Shqipërisë 2030 e cila po merr formë ditë pas dite, si ylli në ngjitje i Ballkanit Perëndimor Përdoruesit e aksit të rënduar Shkodër – Tiranë nuk do të durojnë më aq shumë sa kanë duruar, edhe pak durim dhe falë edhe Korridorit Blu po edhe shumë veprave publike në nivel vendor dhe investimeve shumë të konsiderueshme private në turizëm, Shqipërinë bregdetare turistike do ta kemi një nga krenaritë tona të mëdha kombëtare”, përfundon Rama postimin e tij.
/rtsh.al/