E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Korridori i lirë", burg priftit të Karavastasë

"Burg dhe gjobë" për nëntë të akuzuarit për trafik klandestinësh, mes tyre dhe priftin e fshatit të Karavastasë. Prifti dhe të pandehurit e tjerë u arrestuan afro një vit më parë në kuadër të operacionit të koduar "Korridori i lirë 

TIRANE-Prokuroria i kërkoi Gjykatës së Tiranës cilësimin fajtorë dhe dënimin me burg dhe gjobë për nëntë të akuzuarit për trafik klandestinësh, mes tyre dhe priftin e fshatit të Karavastasë, Mihal Shuli. Sipas përfaqësuesit të organit të akuzës, të pandehurit kanë konsumuar akuzat e "korrupsionit", "dhënies ndihmë për kalim të pa-ligjshëm të kufirit", "falsifikim i vulave, stampave ose formularëve" dhe "prodhim i mjeteve për falsifikim dokumentesh". Pasi renditi provat dhe faktet me të cilat provonte fajësinë e tyre, prokuroria kërkoi dënimin me 8 vjet burg e 7 milionë lekë gjobë për të pandehurin, Gani Vllazëria; për Ilia Çipin, 6.5 vjet burg dhe 6.5 mln lekë gjobë; për të akuzuarit, Altin Qatipi, Mihal Shuli, Artur NIklolla, Edmond Torçilla dhe Manol Xhamia, u kërkua dënimi me 5 vjet burg dhe 6 mln lekë gjobë, vendim që pezullohet për një periudhë trevjeçare. Për Pajmond Duron u kërkua dënimi me 3 vjet burg e 500 mijë lekë gjobë, ndërsa Irfan Dalipaj rrezikon dënimin me 5 vjet heqje lirie dhe të paguajë 6 mln lekë gjobë. Të pandehurit i kanë pranuar akuzat duke përfituar nga gjykimi i shkurtuar. Prifti Mihal Shuli dhe të pandehurit e tjerë u arrestuan afro një vit më parë në kuadër të operacionit të koduar "Korridori i lirë", pasi dyshoheshin se në bashkëpunim trafikonin emigrantë drejt Greqisë e më pas Italisë.

(d.b/BalkanWeb)



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›