Korrupsioni, Prokuroria con në gjykatë Madanin
TIRANE-Prokuroria e Tiranës mbyll hetimet për ish-drejtorin e Menaxhimit të Instalimeve dhe Burimeve në Ministrinë e Mbrojtjes, Shkëlzen Madani.
I cilësuari si një prej njerëzve më të afërt të Fatmir Mediut, gjatë kohës që ky i fundit drejtonte ministrinë e Mbrojtjes, do të përgjigjet për tri vepra penale; atë të korrupsionit dhe të dy rasteve falsifikimi. Njësia e specializuar Task-Forcë ka kyçur dosjen penale në ngarkim të tij dhe do ta dorëzojë për gjykim në Gjykatën e Tiranës.
Ferdinand Hodo, administrator i firmës “Geoconsult shpk” dhe Aurela Çota, administratore e firmës “Nitromak Albania shpk”, do të ulen në bankën e të akuzuarve së bashku me ish-zyrtarin Madani. Prokuroria ka pushuar akuzën kolonel Kadri Sulit, ish-komandant i brigadës së furnizimit në strukturat e Forcave të Armatosura. Gjatë hetimeve është provuar se ushtaraku Suli nuk kishte asnjë lidhje me tre të pandehurit e tjerë.
Madani dyshohet për dhënie abuzive të licencave për firmat e tregtimit të eksplozivëve për llogari të dy firmave private. Të
pandehurit do të gjykohen në gjendje të lirë.
(s.g/BalkanWeb)