E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ngjashmëria mori më qafë babain e dy fëmijëve

Vrasësit ngatërruan viktimën me objektivin. "Çfarë bëni, se na vratë?!, ishin dhe fjalët e fundit të babait të dy fëmijëve, i cili mbeti i plagosur rëndë nga plumbat dhe pak me vone dha shpirt në Spitalin Rajonal të Shkodrës 

SHKODER -Bluza që mbante veshur dhe ngjash mëria fizike me personin që kishin vënë në shënjestër dy vëllezërit Baba nga Mjeda, kanë qenë fatale për Nadir Çukun, i cili mbeti i vrarë në një nga lokalet në qendër të qytetit të Shkodrës. Pas hetimeve intensive, efektivat e Drejtorisë së Policisë së këtij Qarku kanë zbardhur plotësisht ngjarjen e ndodhur në orët e vona të mbrëmjes të së hënës, ku humbi jetën aksidentalisht 41-vjeçari. Burime zyrtare pranë grupit hetimor, dje bënë me dije se një sherr banal mes vëllezërve Ilir dhe Basri Baba dhe Ndriçim Harushës, u bë shkas për vrasjen e një të pafajshmi.
Ndriçim Harusha është ulur në një tavolinë për të pirë kafe, ndërsa afër tij ndodhej klienti Nadir Çuku. Ky i fundit kishte veshur të njëjtën bluzë me Harushën dhe kishte ngjashmëri fizike me të. Dy ekzekutorët në momentin që janë futur në lokalin në qendër të qytetit, kanë ngatërruar objektivin e tyre. Ata kanë nxjerrë nga brezi pistoletat dhe kanë nisur të qëllojnë në drejtim të 41-vjeçarit Çuku. "Çfarë bëni, se na vratë?!". Këto ishin dhe fjalët e fundit të babait të dy fëmijëve, i cili mbeti i plagosur rëndë nga plumbat dhe vetëm pak minuta më pas dha shpirt në Spitalin Rajonal të Shkodrës. Menjëherë në vendngjarje mbërriti policia, e cila ka kryer veprimet e para hetimore. Nga këqyrja e vendit të ngjarjes, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 8 gëzhoja pistolete model 54 dhe 3 gëzhoja pistolete model 56.
Menjëherë pas dokumentimit të plotë të ngjarjes që shkaktoi panik tek banorët e qytetit verior, policia është vënë në ndjekje të dy autorëve të krimit. Vëllezërit Baba nga Mjeda akuzohen për veprat penale; "vrasje me paramendim e mbetur në tentativë, e kryer në bashkëpunim"; "vrasje në bashkëpunim" si dhe "armëmbajtje pa leje".

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›