E Diel, 1 Nëntor 2026

Korrupsioni, agjenti i infiltruar kapi policin e Bashkisë

SHKRUAN: Thimi Samarxhiu 18-06-2011 10:18

Tiranë- Agron Doçi, polici i Bashkisë së Tiranës, i ndaluar pak ditë më parë me akuzën e korrupsionit ndaj bizneseve informale, ka rënë në grackë nga një polic i infiltruar. Nga hetimet e Prokurorisë së Tiranës rezulton se janë kryer verifikime në rrugën "Myslym Shyri", ku ushtrojnë aktivitet tregtar të palicencuar rreth 100 subjekte. Nga të dhënat e marra në rrugë operative nga ana e Policisë, rezulton se këta punonjës lejojnë këto subjekte të ushtrojnë aktivitet të palicencuar, duke marrë prej tyre shuma parash që variojnë, nga 30.000 deri në 100.000 lekë. Policia Gjyqësore ka kryer vëzhgime dhe fotografime, të cilat kanë zbuluar se punonjësi i Policisë Bashkiake, Agron Doçi është takuar disa herë me tregtarin Sh.L., të cilit i ka kërkuar ryshfet, në këmbim të zhvillimit të aktivitetit pa u regjistruar në organet përkatëse. “Më datën 30 maj, duke qenë se kishte dyshime se punonjësi i Policisë Bashkiake me emrin Agron po kërkonte ryshfet në këmbim të zhvillimit të aktivitetit informal është kërkuar futja e agjentit të policisë, i cili do të prezantohej me emrin "Edi", për simulimin e aktit korruptiv, duke u maskuar si qiramarrës i një lokali”-thuhet në kërkesën e prokurorisë. Paralelisht, nga ana e prokurorit është autorizuar përgjimi i bisedave ambientale dhe simulimi i aktit korruptiv. Agjenti i policisë gjyqësore, i koduar me emrin " Edi" është telefonuar nga polici bashkiak dhe kanë lënë takim tek lokali i tij. Nga përgjimet ambientale, Agroni, i veshur me uniformë i ka kërkuar agjentit të infiltruar 15.000 lekë, duke i premtuar se mund ta vazhdonte aktivitetin, pa u pajisur me dokumentacionin ligjor pranë Bashkisë Tiranë. “Në orën 18.00 duhet të më sjellësh domosdoshmërish 10.000 lekë”,-mësohet t’i ketë thënë ai. Rreth orës 18:50, agjenti i infiltruar është takuar me punonjësin e policisë dhe sipas bisedës që ishte bërë disa orë më parë, i ka dhënë atij vetëm 5 000 lekë. Nga transkriptimi i bisedave rezulton se i dyshuari Agron Doçi merr përsipër të ndërhyjë tek persona të tjerë të administratës shtetërore. Pasi ka marrë paratë, polici bashkiak dalë në këtë rrugë dhe është takuar me një person. Pas këtij takimi, Agroni ka marrë rreth-rrotullimin dhe është futur në lokal, ku edhe është prangosur nga policia gjyqësore. Nga kontrolli që i është bërë, në xhepin e majtë të pantallonave i është gjetur shuma prej 5000 lekësh; para këto që i janë dhënë agjentit të autorizuar për simulimin e aktit korruptiv.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›