E Diel, 1 Nëntor 2026

Prostituonin minorenen bien në pranga dy femra

LUSHNJE- Dy gra përkatësisht M.C. 57 vjeçe dhe E.Z. 28 vjeçe, banuese në Lushnjë, kanë rënë në prangat e policisë, ndërsa një tjetër i quajtur Elvis Çollaku, është shpallur në kërkim. Aksioni i Seksionit të Trafiqeve të paligjshme në Drejtorinë e Policisë Qarku Fier ka përfunduar në orët e mbrëmjes së djeshme. I quajtur “Rrethrrotullimi”, aksioni në fakt ka nisur qysh në datën 10 qershor 2011. Kjo pas një denoncimi të bërë në komisariat të policisë Lushnjë nga ana e familjarëve të një shtetaseje 16-vjeçare të quajtur Z.P. Prindërit e saj, banorë të lagjes “Çlirim” në qytetin myzeqar, denoncuan në mbrëmjen e asaj dite zhdukjen nga shtëpia të vajzës së tyre adoleshente. Policia nisi menjëherë nga kërkimet. Përveçse kërkimeve në qytet e zonat periferike, lidhjeve shoqërore e miqësore të vajzës, agjentët ranë në kontakt edhe me rrjetin facebook. Nëpërmjet tij ata zbuluan se vajza kishte komunikim edhe me pjesëtarë të familjes së një lokali Bar Motel në periferi të qytetit Lushnjë. Gjurmët e zhdukjes së vajzës i çuan specialistët e antikrimit në periferi të qytetit myzeqar e konkretisht në vendin e quajtur “Rreth rrotullimi i autostradës,” në një lokal Bar Motel Çollaku. Agjentët mbajtën nën vëzhgim pronarët e këtij lokali, punonjësit si dhe klientët që hynin në këtë lokal. Në natën e mbrëmshme, nëpërmjet një agjenti të infiltruar si klient, ata arritën të gjenin vendndodhjen e vajzës, e cila mbahej brenda lokalit, në njërën prej dhomave të Motelit. Uniformat blu vunë në pranga pronaren e lokalit, njërën prej kameriereve që ishte e punësuar aty, si dhe shpallën në kërkim djalin e pronarit të lokalit, shtetasin Elvis Çollaku. Aksioni i detajuar i policisë mbahet ende sekret. Kjo për shkak të hetimit të gjerë që ka nisur policia lidhur me këtë rrjet prostitucioni. Burime nga policia bënë të ditur se vajza 16-vjeçare ishte sjellë në lokal me dëshirën e saj. Kundrejt premtimeve, shpërblimeve të ndryshme, ajo ishte joshur për të ushtruar profesionin e shërbimit të “veçantë” ndaj klientëve, kundrejt një pagese. Gjithçka kryhej nën kujdesin e kamerieres së arrestuar. Kjo e fundit pasi rekrutonte klientë të veçantë, u servirte atyre “shërbimin extra” në dhomat e lokalit. Në njërën prej këtyre dhomave mbahej e mbyllur edhe 16-vjeçarja. Sipas të njëjtave burime policore, numri i klientëve të përditshëm specialë shkonte deri në gjashtë persona.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›