Shpërtheu portën e Kryeministrisë, 1 vit burg pronarit të makinës
Tiranë- Një prej demonstruesve të 21 janarit është dënuar dje nga Gjykata e Tiranës me një vit heqje lirie, për shkatërrimin e portës së Kryeministrisë. Agron Troksi, i cili nuk ka qenë prezent gjatë demonstratës, u bë protagonist i saj në një mënyrë krejt të veçantë. Ndryshe nga demonstruesit e tjerë që kishin ushtruar dhunë, apo qëlluar me sende të forta në drejtim të Kryeministrisë, Troksi ka qenë duke lëvizur në segmentin e Unazës pranë bulevardit, kur protestuesit e tjerë kishin shpërthyer portën nr. 1 të Kryeministrisë. Në këtë moment, ai ka ndryshuar drejtimin e mjetit të tij tip “Benz 240” në Bulevard, duke tentuar të futet në oborrin e Kryeministrisë. Tentativa e Agron Troksit për të hyrë në Kryeministri, duke përplasur automjetin me bordurën e vendosur në portën nr. 1, u filmua nga të gjitha kamerat e pranishme, ndërsa ai u arrestua një ditë më pas. Ky veprim duket se i ka kushtuar shumë Agron Troksit, pasi nga hetimet, prokuroria arriti në përfundimin se i dyshuari kishte dëmtuar pronën publike. Një seancë më parë, prokurori i çështjes tha para gjykatës se vlera e dëmit të shkaktuar nga përplasja e automjetit të Troksit, me portën dhe bordurën e vendosur pas saj, kap vlerën e 200 mijë lekëve. Ky fakt, së bashku me pamjet filmike të paraqitura si prova u morën në konsideratë nga gjykata, e cila e shpalli atë fajtor. Vendimi përfundimtar i Gjykatës së Shkallës së Parë e dënoi Agron Troksin me 3 muaj heqje lirie, pasi ai përfitoi nga gjykimi i shkurtuar. Dosja penale në ngarkim të tij u regjistrua në Gjykatën e Tiranës më 2 maj të këtij viti, për akuzën e “shkatërrimit të pronës”, vepër penale kjo e parashikuar nga neni 150 i Kodit Penal. Gjatë shpalljes së vendimit, ditën e djeshme, i pandehuri nuk ishte prezent, por përfaqësohej nga avokati i tij mbrojtës, ndërsa të pranishëm ishin edhe familjarë të tij. Agron Troksi është demonstruesi i tretë i 21 janarit, që dënohet nga Gjykata e Tiranës për veprime të dhunshme apo shkatërrim prone gjatë demonstratës ku mbetën të vrarë 4 persona. Më herët, shkalla e parë dënoi me 10 muaj heqje lirie Jetmir Prengën, i cili sipas prokurorisë ka kundërshtuar me dhunë dhe goditur për shkak të detyrës punonjësit e policisë të caktuar me shërbim pranë Kryeministrisë më 21 janar. Njësoj si Troksi, edhe Prenga ka përfituar nga gjykimi i shkurtuar, duke u dënuar përfundimisht me kohën e paraburgimit. Një tjetër demonstrues i dhunshëm është dënuar me gjobë nga gjykata për të njëjtat akuza, i cili gjithashtu përfitoi nga gjykimi i shkurtuar, duke iu reduktuar kështu një e treta e vlerës së gjobës. Tashmë që gjykata ka filluar ndëshkimet e demonstruesve të dhunshëm, i mbetet radha prokurorisë të dërgojë për gjykim autorët e dyshuar të katër vrasjeve, të cilët vazhdojnë të mbeten të paidentifikuar.