E Diel, 1 Nëntor 2026

Korrupsioni, arrestohen tre zyrtarët e naftës

Të arrestuarit i kërkonin një grosisti karburantesh nga Vlora 10 mijë dollarë për dhënien e lejes së importit për dy anije


Biznesmeni denoncoi korrupsionin disa ditë më parë, ndërsa dje tre funksionarët e karburanteve u kapën në flagrancë


TIRANË- Prokuroria e Tiranës dhe Policia arrestuan në flagrancë dje në zyrën e tij kryeinspektorin e Inspektoratit Qendror Teknik të Karburanteve (IQTK) dhe dy inspektorë të tjerë.


Nëpunësit e Institucionit që është në varësi të Ministrisë së Ekonomisë dhe Energjetikës akuzohen për "korrupsionin pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike".


Denoncimi ndaj tyre është bërë nga një importues vlonjat nafte, anijet e të cilit me ngarkesën përkatëse prej pak ditësh prisnin të hynin në portin e Vlorës, për të marrë lejen e kontrollit teknik nga të arrestuarit.


Lajmi u bë i ditur nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, gjatë një deklarate për shtyp të dhënë prej tij dje në mesditë si dhe nga njësia Task- Force për hetimin e Krimit Ekonomik, në Prokurorinë e Tiranës.


Prej këtyre të fundit u komunikua përfundimi me sukses i operacionit të koduar "Bojaxhiu", për arrestimin e funksionarëve të përfshirë në veprimtari korruptive.


"Departamenti i Hetimit të Krimit në Policinë e Shtetit në bashkëpunim me Njësinë e Përbashkët Hetimore të Prokurorisë së Tiranës, finalizoi me sukses operacionin e koduar "Bojaxhiu", duke arrestuar: Virgjil Jotin, kryeinspektori i IQTK-së, Luan Qato, inspektor në këtë insituticion në kryeqytet, si dhe inspektorin e Vlorës, Kastriot Llakajn".


Sipas Burgajt, këta persona u kapën në flagrancë, pasi i kanë marrë një grosisti karburantesh 20 mijë euro, në këmbim të dhënies së lejes së kryerjes së kontrollit teknik për zhdoganimin e dy anijeve me karburant.

Arrestimi


"Paraditen e djeshme, u bë takimi mes dy inspektorëve Llakaj dhe Qato me grosistin vlonjat i cili ia dorëzoi në qese 20 mijë euro nën vëzhgimin e policisë dhe më pas dy inspektorët u larguan nga lokali me lekët nën dorë. Me të dalë tek dera e lokalit ku ishin takuar me grosistin për t'i marrë lekët, njëri prej tyre ka lajmëruar shefin (Virgjil Joti) duke e njoftuar se i morën paratë dhe po shkonin drejt zyrës së tij.


Sapo kanë hyrë brenda zyrës duke i ndarë të hollat e marra nga grosisti vlonjat ka ndërhyrë policia duke i arrestuar në flagrancë",-thuhet nga burimet e task-forcës. Sipas tyre, tre të arrestuarit edhe në katër raste të tjera, i kishin marrë grosistit vlonjat shuma të tilla në formë "gjobe" për të licencuar karburantin e ardhur nga Italia dhe Spanja. Ndaj tre zyrtarëve rëndon akuza e "korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike"


Hetimi


Nga burime Task- Forcë, mësohet se hetimi ndaj tre punonjësve të IQTK-së nisi pak ditë më parë nga prokurori Gentian Osmani, pas kallëzimit të një grosisti nga Vlora i cili prej 10 vitesh merrej me importimin e karburanteve nga Italia dhe Spanja.


"Pak ditë më parë, një biznesmen nga Vlora denoncoi pranë Task-forcës së kryeqytetit, zyrtarët e inspektoratit, në varësi të Ministrisë së Ekonomisë dhe Energjetikës. Në kallëzim, grosisti vlonjat tregon se për çdo anije që sillte nga Italia e Spanja ai detyrohej t'í paguante 10 mijë euro funksionarëve",-thanë burime të Task- Forcës.


Pas marrjes së kallëzimit penal dhe regjistrimit të procedimit, është vënë në hetim kryeinspektori i IQTK-së, shtetasi Virgjil Joti dhe dy inspektorët e tij Luan Qato dhe Kastriot Llakaj. Burimet thanë se nga hetimi disa ditor me metoda speciale, në bashkëpunim me grosistin e karburanteve, u zbardh mekanizmi i korrupsionit. Mësohet se prej tri ditësh dy anijet e tregtarit, ishin ankoruar në portin e Vlorës dhe nuk shkarkoheshin pasi të arrestuarit kërkonin "gjobën" prej 10 mijë euro për anije.

Të arresuarit


Virgjil Joti, Kryeinspektor pranë Inspektoratit Qendror Teknik të Karburanteve,
Luan Qato, Inspektor pranë Inspektoratit Qendror Teknik të Karburanteve në Tiranë,
Kastriot Llakaj, Inspektor pranë Inspektoratit Qendror Teknik të Karburanteve në Vlorë

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›