E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ish- Gardisti: Banda donte të digjte trupat

CËRRIKU

Luan Prenga, i marrë peng gjatë masakrës, në dëshminë e tij akuzoi Met Bozin e Roland Xhepexhiun


TIRANË- Ish-efektivi i Gardës së Republikës, i plagosur dhe i marrë peng nga të pandehurit e "Masakrës së Cërrikut" më 23 maj 1997, Luan (Leonard) Prenga rrëfeu në Gjykatën e Krime të Rënda, 10 orët e mbajtjes peng të tij edhe pse kishte dy plagë në trup.


Dëshmitari Prenga i drejtoi gishtin të pandehurve Met Bozi, e Roland Sota (Xhepexhiu) si organizatorë të pritës me armë ndaj efektivëve të Gardës, ku u vranë e u dogjën 6 gardistë dhe 16 të tjerë u plagosën.


Ai identifikoi të pandehurin që e mori në pyetje në atë kohë Meti Bozin, personin që e qëlloi me tytë të armës, Roland Xhepexhiun dhe dy të pandehurit e tjerë Arjan Toska dhe Tomorr Buzanin që e ruanin. "Pasi na qëlluan, ku na plagosen disave dhe disa të tjerë u vranë, pushuan krismat dhe dolën nga kinemaja një grup të armatosurish.


Ata i trajtuan kufomat e kolegëve në mënyrë çnjerëzore. Silleshin rreth trupave të të vrarëve, duke qeshur e qëlluar në ajër dhe më pas i zhveshën kufomat, i qëlluan edhe pse kishin vdekur dhe u vidhnin lekë,- tha Prenga duke lotuar ndërsa iu drejtonte gishtin autorëve.


"Mua dhe Petrit Gjokën na morën peng dhe na futën në një banesë, ku na rrahën e torturuan, por jo banorët e shtëpisë. Aty erdhi Met Bozi me një kameraman dhe na mori në pyetje. Pasi iku Bozi erdhi Xhepaxhiu dhe më qëlloi me automatik në kokë por falë të zotëve të shtëpisë, nuk vazhdoi më tej.


Të pranishëm me armë ishin edhe Arjan Toska e Tomorr Buzani por nuk ishin agresivë, ndërsa Xhepexhiu goditi edhe Petrit Gjokën. Ai organizonte grupin e armatosur tek lulishtja ditën e masakrës.


Dhunimin e kufomave e bënte Meti Bozi, që urdhëroi djegien e tyre me benzinë. Po të mos bërtisnin banorët kjo gjë do të bëhej"-tha Prenga. Seanca e djeshme ishte e 77-a e procesit dhe u ndërpre për mos paraqitjen e dëshmitarëve të tjerë, dhe me vendim të gjykatës do iu përsëritet fletë-thirrja.


Të pandehurit e kësaj dosje janë: Llazar Bicja, Meti Bozi, Arjan Toska, Roland Sota (Xhepexhiu), Alban Toska, Skender Cani, Tomorr Buzani, Bujar Buzani dhe Entel Gashi. Ndaj tyre rëndon akuza e "Vrasje në rrethana të cilësuara" të kryer në bashkëpunim në 6 raste dhe "Vrasje në rrethana të cilësuara" e kryer në bashkëpunim por e ngelur në tentativë në 16 raste.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›