Zonat më të rrezikuara nga trafiku
Departamenti Amerikan i Shtetit akordon 500 mijë dollarë për parandalimin e trafikimit të fëmijëve në Shqipëri. Ankohen viktimat: Nuk kujdeset njeri për ne
Rrethinat e Tiranës dhe qyteti i Shkodrës janë zonat më të rrezikuara të trafikimit të fëmijëve në Shqipëri. Kështu, sipas studimeve, trafikimi i fëmijëve në vendin tonë vazhdon të jetë një shqetësim serioz, pasi llogaritet të jetë ende i lartë numri i viktimave të trafikuara për qëllime të shfrytëzimit.
Ndërkohë që statistikat zyrtare mbeten ende të cunguara, duke mos pasur të dhëna përkatëse në lidhje me këtë fenomen.
Por sipas përfaqësuesve të Organizatës "World Vision" nga studimet e bëra rezulton se, ashtu si në shumë vende të botës, trafikimi i fëmijëve edhe në Shqipëri, vazhdon të jetë në nivele të larta, çka e rendit atë në biznesin tretë fitimprurës, për shkak të të ardhurave të mëdha që krijohen nga ky fenomen.
E ndërsa nuk dihen të dhëna të sakta, kjo organizatë ka përcaktuar si zona më të rrezikuara të trafikut të fëmijëve atë të Shkodrës dhe rrethinat e Tiranës.
500 mijë dollarë është fondi i akorduar nga Departamenti Amerikan i Shtetit për parandalimin e trafikut të fëmijëve në Shqipëri. Projekti i pari i këtij lloji në vend, do të implemetohet nga organizata "World Vizion" synon që përveç parandalimit të trafikut të krijojë dhe një rrjet të dhënash të sakta mbi viktimat e këtij rrjeti, kur deri më sot asnjë institucion shqiptar nuk është në gjendje të thotë numrin e saktë të fëmijëve që kanë rënë pre e trafikut të fëmijëve.
Drejtuesit e kësaj organizate thonë se deri më tani kanë përcaktuar zonat më të rrezikuara ku ekziston risku më i madh që fëmijët të bien pre e rrjeteve të trafikimit.
Ndërkohë që kategoritë më të rrezikuara dhe të ekspozuara ndaj këtij fenomeni mbeten fëmijët që jetojnë në familje me probleme të shumta ekonomike. Kjo sidomos për kategoritë e familjeve rome të cilat në pjesën më të madhe janë dhe pjesë e këtij rrjeti trafikimi, si pasojë e jetesës së vështirë që kanë në vend.
Megjithëse gjatë viteve të fundit është shtuar vëmendja dhe reagimi ndaj këtij problemi nga aktorë të rëndësishëm të shoqërisë, aftësia e qeverive për të marrë masa efektive për parandalimin e trafikimit të tyre për promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të tyre që kanë qenë të trafikuar është e kufizuar për shkak të mungesës së burimeve financiare dhe teknike si dhe mos ekzistencës së një legjislacioni të fortë mbrojtës.
Por ajo që mbetet më shqetësuese, sipas ekspertëve të kësaj fushe në vendin tonë, është se vazhdon të lulëzojë në përmasa të mëdha trafikimi i fëmijëve për qëllime ekonomike brenda vendit.
Statistikat
Trafiku i njerëzve i përkthyer në shifra
Mbi 20 fëmijë kanë rënë pre e trafikut gjatë vitit 2009, ndër të cilët 17 janë femra dhe 5 meshkuj. Rastet e identifikuara gjatë vitit 2009 lidhen me veprimtari dhe fakte të ndodhura jashtë Shqipërisë, në vendet e destinacionit si Greqi, Itali, Francë, Britani e Madhe dhe Kosovë.
Ndërsa si vende transit janë përdorur kryesisht Greqia, Italia dhe Mali i Zi. Nga Mali i Zi kalohet në Kroaci, Slloveni dhe destinacioni i fundit janë vendet e BE-së. Në lidhje me situatën e trafikimit në vend, viktimat janë në të shumtën e rasteve gra dhe fëmijë, që përgjithësisht vijnë nga familje me nivel të ulët ekonomik dhe social, ku mungon informacioni mbi rreziqet e shfrytëzimit.
Në të shumtën e rasteve, mënyrat e përdorura për rekrutimin e viktimave janë premtimet false për martesë, punësim, ose studim dhe rrëmbim ose shitje nga familja apo të afërmit. Trafikantët në përgjithësi janë persona që kanë kryer dhe më parë këtë aktivitet ose bashkëpunojnë me persona që janë të përfshirë në trafikim. Veprat kryhen vetëm ose në bashkëpunim në grupe prej 2 apo 3 personash.
1 Qershori shqiptar
Dje ishte 1 Qershori dhe fëmijët në të gjithë botën e kishin festë. Politikanët shqiptarë u dyndën rrugëve për të zënë edhe atë pak hapësirë që u jepet fëmijëve më 1 Qershor duke bërë deklarata e premtime vetëm e vetëm për të marrë pak hapësirë mediatike.
Dikush përuroi një kënd lojërash për fëmijët; dikush tjetër doli e këshilloi fëmijët që të sillen si europianë sepse Shqipëria do hyjë në Europë. Madje një tjetër u dha fëmijëve 1 Qershorin më të paharrueshëm. Në mes të 100 fëmijëve nisi të çirrej për grevën e urisë, për liberalizimin e vizave dhe shumë gjëra të tjera.
Në asnjë rast nuk i uli sytë që të shihte fëmijët që ndodheshin pranë saj, nuk e mori mundimin të shikonte fytyrat e tyre të vogla që kishin marrë një pamje të frikësuar sikur donin që të thoshin: E ç'ka po don me thanë kjo???? Po në fund të fundit pak rëndësi ka, ky është 1 Qershori shqiptar. Edhe dita e fëmijëve është një vend për të bërë politikë, edhe fëmijët janë një rast për tu përdorur si pedanë për të kaluar kaluçin politik.
Në fund të fundit jemi mësuar.
Mijëra fëmijë janë përdorur çdo vit në fushata elektorale, qindra shkolla janë mbyllur sepse në qytezë ka ardhur një pushtetar i rëndësishëm dhe duhet mbushur sheshi i vogël. Sa herë mund të jenë ankuar fëmijët që u lodhën duke qëndruar në këmbë në miting...e kush i ka dëgjuar.
Pse duhet t'i dëgjojnë xhanëm. Se mos fëmijët i dëgjojnë politikanët kur flasin nga podiumi për kriza politike, liberalizim vizash, për bllokmenët e rinj e të vjetër, për ruspa e ruspie.
Sa herë janë ankuar prindërit për fëmijët që atë ditë nuk kanë bërë mësim por kanë dalë në miting. Sigurisht, janë ankuar brenda mureve të shtëpisë sepse po të ankohesh në vendin e punës mund të të ndëshkojnë. Tani jemi në demokraci dhe kur thua "më hoqën fëmijën nga shkolla dhe ma çuan në miting" nuk ta kap ligji për "Agjitacion e propagandë" por sërish rrezikon vendin e punës.
Madje për të qenë i sigurt në vendin e punës duhet të thuash: fëmija im (socialist ose demokrat) dje ishte në miting. Dhe duhet të krenohesh për këtë gjë sepse je shqiptar dhe 1 Qershori shqiptar është ndryshe, ashtu siç është ndryshe 1 Maji apo ndonjë festë tjetër.