E Diel, 1 Nëntor 2026

Korrupsioni me tenderin e uniformave blu, 6 zyrtarë të MB në pranga

TIRANË- Gjashtë zyrtarë të Ministrisë së Brendshme janë arrestuar me akuzën e korrupsionit për prokurimin e fondeve publike për "Blerje uniforma, veshmbathje dhe elementë të tjerë përbërës të tyre", me fond limit 175.034.194 lekë e cila do zhvillohej nga Drejtoria e Përgjithshme e Prokurimeve të Përqendruara pranë Ministrisë së Brendshme.

Sipas burimeve nga Prokuroria e Përgjithshme mësohet se shtetasit Artan Berberi, Agur Sadiku dhe Jani Gjergjefi dyshohet se kundrejt përfitimeve të kundërligjshme (125.000. euro) që u kanë dhënë shtetasve Bujar Murati, me detyrë Drejtor i Drejtorisë së Përgjithshme të Prokurimeve të Përqendruara pranë Ministrisë së Brendshme, dhe Redi Popescu kanë ndarë me marrëveshje të paracaktuar midis tyre fituesit e loteve të kësaj procedure prokurimi duke eliminuar konkurrencën e shoqërive të tjera në mënyrë të padrejtë. Ndërkaq, vijojnë hetimet për të tjerë persona të përfshirë në këtë veprimtari të paligjshme.

Masat e sigurisë
Pas hetimeve, sot është vendosur masa e sigurimit "Arrest në burg", për shtetasin Bujar MURATI, i dyshuar për kryerjen e veprës penale të "Korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike".
E njëjta masë sigurie është përcaktuar për Redi Popescu, i dyshuar për kryerjen e veprave penale të "Ushtrimit të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike", dhe "Korrupsionit aktiv të personave që ushtrojnë funksione publike", të kryer në bashkëpunim; për shtetasin Tahir IMAMI, i dyshuar për kryerjen e veprës penale të "Korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike"; për Artan BERBERI, i dyshuar për kryerjen e veprës penale të "Korrupsionit aktiv të personave që ushtrojnë funksione publike" dhe për shtetasin Jani Gjergjefi.
Ndërkohë për shtetasin Agur Sadiku, i dyshuar për kryerjen e veprës penale të "Korrupsionit aktiv të personave që ushtrojnë funksione publike", të kryer bashkëpunim është vendosur "Arrest në shtëpi".

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›