E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta-Petroviç: Ndihmë komunitetit serb në Kosovë

TIRANË- Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm Ilir Meta ka garantuar ndihmë për komunitetin serb në Kosovë, duke pohuar se fqinjësia e mirë i shërben paqes në rajon. Deklarata është bërë sot gjatë takimit që ai zhvilloi me përfaqësues politikë të komunitetit serb në Kosovë, të kryesuar nga anëtari i Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, njëherësh, Kryetar i Partisë Liberale Serbë në Kosovë, Sllobodan Petroviç.
Meta vlerësoi se pjesëmarrja e këtij komuniteti në zgjedhjet në Kosovë do t'i shërbejë integrimit të mëtejshëm të tyre në institucionet e qeverisjes lokale e qendrore. "Ripërsërita premtimin e Qeverisë së Shqipërisë për të kontribuar për ndërtimin e shtëpive për të kthyerit ose për ndërtimin e objekteve social-kulturore në komunat me shumicë serbe"- tha Meta gjatë konferencës së përbashkët për shtyp, pa detajuar ndihmën konkrete që pritet të japë qeveria shqiptare.
Nga ana e tij, Petroviç, duke falënderuar për ftesën, ka theksuar se vizita në Shqipëri nuk është vetëm për një arsye. "Ajo që është e rëndësishme është të fokusohemi tek nevojat e qytetarëve, tek ajo që është e domosdoshme për qytetarët në Kosovë"- ka thënë ai.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›