Kos: Shteti i së drejtës, vendimtar për klimën e biznesit

TIRANË, 7 mars /ATSH/ Komisionerja për Zgjerimin e Bashkimit Evropian, Marta Kos mori pjesë sot në forumin e Bankës Evropiane të Investimeve.
Kos u fokusua në fjalën e saj tek investimet dhe reforma në drejtësi.
Sipas Kos kjo reformë është një faktor vendimtar për një klimë biznesi të favorshme.
“Ashtu si huatë garantojnë investimet pa rrezik, po ashtu edhe reformat që ne po ndihmojmë vendet kandidate të zbatojnë në rrugën e tyre të anëtarësimit. Pse insistojmë kaq shumë për shtetin e së drejtës? Sepse është edhe një faktor vendimtar ekonomik”, tha Kos.
Kos u shpreh se, “investitorët duhet të kenë besim se kontratat do të respektohen, rregulloret do të mbeten të qëndrueshme dhe mosmarrëveshjet mund të zgjidhen në mënyrë të drejtë në gjykatë”.
“Përpjekjet tona për t’i integruar kandidatët tanë më thellë dhe më shpejt në tregun tonë të vetëm mund të japin dividentë vetëm nëse investitorët dhe bizneset evropiane e dinë se do të gjejnë një klimë biznesi që është e parashikueshme dhe e sigurt”, theksoi Kos.
“Rasti ekonomik për zgjerimin e BE-së ka qenë gjithmonë i fortë. Për bizneset dhe investitorët, kjo është një mundësi. Ndërsa integrojmë vendet kandidate në tregun e vetëm, dyer të reja po hapen – duke ofruar qasje në ekonomitë në rritje dhe mundësi investimi më afër vendit. Dhe sapo këto vende të bëhen anëtarë të plotë, potenciali do të jetë edhe më i madh”, tha Kos.
Komisionerja u shpreh se, zgjerimi nuk është një favor për vendet kandidate, është një investim në paqen, lirinë, prosperitetin dhe sigurinë tonë.
“Çdo reformë është një hap drejt një ekonomie më të fortë, një shoqërie më të drejtë dhe një të ardhme brenda Bashkimit Evropian. Me mbështetjen dhe garancitë e BE-së, ajo e ardhme nuk duhet të presë: mundësitë e investimeve dhe përparimi mund të fillojnë që tani”, tha Kos.
Kos gjithashtu tha se, fondi prej 6 miliardë eurosh në kuadër të planit të rritjes ekonomike së shpejti do të kthehet në realitet.
“Në Ballkanin Perëndimor, ne kemi mobilizuar 6 miliardë euro në grante dhe kredi për të nxitur reformat ekonomike dhe për të përshpejtuar procesin e anëtarësimit, si dhe integrimin në tregun e vetëm të BE-së. Korniza e Investimeve të Ballkanit Perëndimor është platforma kryesore për zbatimin e Reformave dhe Planit të rritjes ekonomike. Ne shpresojmë në vijimin e bashkëpunimit me të mirë ekzistues me bankën tuaj”, tha Kos.
Komisionerja për Fqinjësinë dhe Negociata në Bashkimin Evropian, Marta Kos do të vizitojë Shqipërinë për të parën herë më 13-14 mars.
Kos do të komunikojë publikisht mbajtjen e konferencës së katërt ndërqeveritare me Shqipërinë në datë 18 mars. /r.e/