E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

SHBA – Trump: Epoka e Artë e Amerikës sapo ka filluar

UASHINGTON, 7 mars /ATSH-AA/ – Presidenti amerikan, Donald Trump ka shpallur “Epokën e Artë të Amerikës” duke pretenduar arritje të rëndësishme në gjashtë javët e para të administratës së tij.

“Epoka e Artë e Amerikës sapo ka filluar. Gjatë gjashtë javëve të fundit, administrata jonë ka përmbushur premtimet si asnjë administratë para saj, duke e vënë gjithmonë Amerikën në vend të parë”, tha Trump në platformën Truth Social.

Ai vlerësoi Departamentin e Efikasitetit të Qeverisë, një përpjekje e diskutueshme jozyrtare e qeverisë për uljen e kostove të udhëhequr nga miliarderi Elon Musk, donatori kryesor i fushatës së tij vitin e kaluar.

“Ne sapo patëm një takim me shumicën e sekretarëve (të kabinetit), Elonin dhe të tjerë, dhe kaloi shumë pozitiv. Është shumë e rëndësishme që ne të ulim nivelet atje ku duhet të jenë, por është gjithashtu e rëndësishme të mbajmë njerëzit më të mirë dhe më produktivë”, tha Trump.

Trump foli për një strategji ku sekretarët e kabinetit do të punonin ngushtë me ekipin e Muskut për të përcaktuar se cilët punonjës të qeverisë do të mbeten në pozicionet e tyre, në emër të produktivitetit dhe efektivitetit.

Trump tha se këto takime dyjavore do të vazhdojnë derisa të përfundojnë rregullimet e personelit.

Megjithatë, puna e ekipit të Muskut ka tërhequr polemika të konsiderueshme, madje edhe në mesin e Partisë Republikane të Trumpit. Sekretarët e kabinetit thuhet se janë të shqetësuar se Musk, i cili është i paemëruar ndryshe nga ata, po uzurpon pushtetin e tyre./   /os/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›