STAMBOLL – Turqia kërkon armëpushim të shpejtë në luftën Rusi-Ukrainë, mbështet masat e BE-së

STAMBOLL, 7 mars /ATSH-DPA/- Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan u shpreh sot në favor të arritjes së një armëpushimi në luftën Rusi-Ukrainë sa më shpejt të jetë e mundur.
Ankaraja mbështet ndërprerjen e agresionit ajror dhe detar… si dhe bën thirrje për vendosjen e një armëpushimi urgjent”, tha Erdogan në një videokonferencë të organizuar nga Bashkimi Evropian.
Franca ka propozuar një armëpushim një mujor në ajër dhe në det – si një hap drejt një marrëveshjeje të mundshme paqeje.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky është treguar gjithashtu i hapur ndaj një armëpushimi kaq të kufizuar.
“Turqia kërkon të përfshihet në mekanizmat e ardhshëm të mundshëm të BE-së për sigurinë dhe rindërtimin e Ukrainës”, shtoi lideri turk.
Erdogan theksoi gjithashtu rëndësinë e një “baze të fortë diplomatike” për të sjellë të dyja palët në tryezën e bisedimeve.
Turqia, një anëtare e NATO-s, ka marrëdhënie të mira me Rusinë dhe Ukrainën dhe Erdogan tha më herët se Turqia do të ishte vendi “ideal” për të zhvilluar negociata të mundshme të paqes. //a.i/