Koshtunica e Samarxhiç, hyjnë në veriun e Kosovës pa lejen e autoriteteve vendase
Ish-kryeministri serb, Vojisllav Koshtunica dhe ish-ministri në qeverinë e tij, Slobodan Samarxhiç, kanë hyrë në veriun e Kosovës pa lejen e autoriteteve vendase, për të zhvilluar fushatë parazgjedhore. Të dy ish-zyrtarët e lartë dhe njëkohësisht udhëheqës të Partisë Demokratike të Serbisë kanë vizituar Mitrovicën e Veriut dhe Zveçanin, në kuadër të aktiviteteve politike për zgjedhjet lokale serbe në komunën e Mitrovicës. Sipas njoftimeve, të dy zyrtarët e lartë partiakë, të shoqëruar nga truproja të armatosura, kanë hyrë në Kosovë përmes dy pikave kufitare në veri, të cilat qenë djegur nga protestues serbë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Autoritetet e vendit kanë deklaruar se të dyja portat kontrollohen nga pjesëtarë të policisë së EULEX-it, të cilët nuk kanë ndërhyrë edhe pas kërkesës për kontrolle të zyrtarëve serbë. Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, në një prononcim për BBC-së tha se forcat vendase të sigurisë duhet të shtojnë praninë e tyre në veri. “Duhet të rritet numri i tyre dhe duhet të vendosen njerëzit që respektojnë ligjet dhe Kushtetutën tonë dhe jo të ketë shkëputje. Kjo, mendoj se duhet të dinamizohet edhe pse nuk pritet të bëhet shpejt dhe bëhet në bashkëveprim me EULEX-in. Ka ardhur koha që të rritet numri i tyre dhe që ata të marrin më shumë përgjegjësi edhe në këto dy hyrje në veri të Kosovës”, tha ministri Rexhepi.