E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosor si Merkeli

Nga Express më 24 gusht 2011 në ora 10:55

(E plotësuar) Kryeministrja e Kroacisë, Jadranka Kosor theksoi të mërkurën në Prishtinë se Kroacia mbështet plotësisht ato që kancelarja gjermane Angela Merkel i ka thënë një ditë më parë gjatë qëndrimit në Beograd, se Serbia duhet t’i shuajë strukturat paralele në Kosovë dhe se nuk mund të fitojë as statusin e kandidatit pa i zgjidhur disa probleme me Kosovën.

Këto deklarata Kosor i bëri pas takimit me kryeministrin Hashim Thaçi, me ç’rast zyrtarë të lartë shtetëror të Kosovës e Kroacisë nënshkruan disa marrëveshjeve bilaterale, përkatësisht për integrimet evropiane dhe transportin rrugor.

Kryeministrja kroate tha se plotësisht mbështetë deklarimet e kancelares gjermane që i ka dhënë lidhur me Kosovën. Sipas saj, këto qëndrime me Merkelin janë harmonizuar gjatë qëndrimit të saj në Kroaci.

Kosor tha se Kroacia përkrah edhe vazhdimin e dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit në Bruksel dhe i vjen mirë që për këtë proces e ka parë gatishmërinë e Qeverisë se Kosovës.

Ndërkaq i pyetur nga gazetarët, kryeministri Hashim Thaçi nuk ka dashur të flasë lidhur me një aksion të realizuar sot nga Njësia Speciale në pjesën veriore. Ai vetëm ka theksuar se vendimet e Qeverisë mbesin në fuqi për vendosjen e rendit dhe ligjit në gjithë territorin e Kosovës.

Në këtë rast të dy kryeministrat, Thaçi dhe Kosor, janë zotuar për thellim të bashkëpunimit në fushën ekonomike dhe të tjera.

Ndërkaq bashkë kryeministren kroate, Jadranka Kosor, në Kosovë kanë ardhur edhe zyrtarë të tjerë të lartë nga ky shtet dhe një grup i biznesmenëve kroatë, të cilët po shohin nga afër mundësitë e investimeve në Kosovë.

Kosor fillon vizitën në Kosovë

Kryeministrja e Kroacisë, Jadranka Kosor sot ka filluar vizitën e saj në Kosovë, me ç’rast gjatë ditës pritet të takohet me zyrtarë të lartë shtetërorë si dhe do të merr pjesë në forumin kroato-kosovar të biznesit.

Vizita e kryeministres kroate realizohet me ftesë të kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi.

Qeveria e Kroacisë është shprehur se do vazhdoj të mbështesë paqen dhe stabilitetin në Kosovë si dhe respekton integritetin territorial të saj.

Gjatë ditës ajo do të takohet edhe me kryeparlamentarin e Kosovës dhe pritet që të nënshkruaj një sërë marrëveshjesh bilaterale me Qeverinë e Kosovës.

Vizitën e saj Kosor pritet ta përfundojë pasi të takohet me ushtarët e KFOR’it që veprojnë në Kosovë.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›