Avokatët pa qasje në dokumentacionin e akuzës
(E plotësuar) Në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë ka filluar seanca statusore ndaj nënkryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, i cili njëherit është edhe deputetit të Kuvendit të Kosovës, Fatmir Limaj dhe ndaj 9 ish-luftëtarëve tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët akuzohen për kinse krime të kryera në fshatin Kleçkë gjatë luftës në Kosovës.
Në pjesën e parë të seancës gjyqësore 10 të akuzuarit kanë dëshmuar të dhënat e tyre personale, para se prokurori italian, Maorizio Salustro, të fillojë me paraqitjen e provave.
Avokatët mbrojtës kërkuan nga gjykatësi të shtyhet seanca dhe prokurori t’u mundësojë qasje të plotë në dokumentacionin e akuzës, pasi ata u ankuan se prokurori nuk ka bashkëpunuar me ta gjatë ngritjes së akuzës, dhe për këtë kanë mungesë të dokumentacionit për akuzën.
Prokurori Salustro u ka thënë avokatëve se nuk do të kenë mundësi të kenë qasje të plotë në aktakuzë, sepse ka dëshmitarë të mbrojtur.
Prokurori ka futur si provë dokumente tjera dhe dy intervista si provë materiale, një të ish-komandantit të UÇK-së, Agim Çeku dhe një të ish-shefit të Shtabit të UÇK-së, Bislim Zyrapi.
Por gjykatësi pritet të vendos në vazhdim të seancës nëse do të konfirmohet aktakuza ndaj të dyshuarve, apo do të shtyhet seanca.
Arben Krasniqi, Naser Krasniqi, Nexhemdin Krasniqi, Behlul Limaj, Fatmir Limaj, Refki Mazreku, Shaban Shala, Bislim Shurdhaj, Naser Shala dhe Sabit Shala.
Deputeti Fatmir Limaj apo komandant Çeliku, ishte shpallur i pafajshëm nga Gjykata e Hagës, për krime të supozuara në Llapushnik, ndërsa tash pritet që të gjykohet për krime që, sipas prokurorive ndërkombëtarë janë kryer në fshatin Kleçkë.
Çeku e Zyrapi dëshmuan për Limajn
Ende nuk është konfirmuar aktakuza ndaj Fatmir Limajt dhe nëntë ish ushtarëve të UÇK-së që ka nisur në ora 10 në Gjykatën e Qarkut.
Sipas IndeksOnline, seanca ka nisur me vërejtjet e avokatëve mbrojtës se nuk kanë pjesë nga dosja e rastit e që prokurori i rastit, Maurizio Salustro është përgjigjur me argumente të tjera.
Para avokatëve janë deponuar edhe dy deklarata të dëshmitarëve, Agim Çeku dhe Bislim Zyrapi që janë intervistuar pas ngritjes së aktakuzës për rastin më 25 korrik. Pjesa e dytë e seancës konfirmuese nis pasdite.
Deputeti i Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe nënkryetari i PDK-së, Fatmir Limaj, i shoqëruar nga avokati Tomë Gashi, sapo është paraqitur në gjykatë, në Prishtinë. Atë e kanë shoqëruar edhe djali i tij, Durimi dhe shefi i kabinetit të tij, Endrit Shala.
Në Gjykatën e Qarkut të Prishtinës ai paraqitet në seancën e konfirmimit të aktakuzës “për krime lufte kundër popullatës civile dhe krime lufte kundër të burgosurve të luftës”, të ngritur nga Prokuroria Speciale e Kosovës.
Seanca kundër ish-komandantit të UÇK-së, “Çelikut”, është caktuar nga një gjyqtar i EULEX-it për 24, 25 dhe 26 gusht.
Gjatë këtyre seancave, mbrojtja pritet të kërkojë nga gjyqtari që të mos e konfirmojë aktakuzën, ndërsa prokurori Maorizio Salustro do të kërkojë që të konfirmohet ajo. Nëse kjo aktakuzë konfirmohet, gjykimi kundër 10 ish-pjesëtarëve të UÇK-së do të fillojë në vjeshtë dhe pritet të zgjasë më shumë se dy vjet.
Seanca për konfirmimin e aktakuzës është caktuar të mbahet një muaj pasi që prokurori italian e ka ngritur aktakuzën. Çeliku, i cili ishte shpallur i pafajshëm nga Gjykata e Hagës, për krime të supozuara në Llapushnik, tash pritet të gjykohet për krime që, sipas Prokurorisë, janë kryer në Kleçkë.
Bashkë me Limajn në gjykatë pritet të paraqiten edhe Nexhmi Krasniqi, Naser Krasniqi, Naser Shala, Sabit Shala, Refi Mazfreku, Arben Krasniqi, Shaban Shala, Behlul Limaj dhe Besim Shurdhajt.
Sipas burimeve të portalit “LajmeShqip”, nëse kjo aktakuzë merr “vizën” për gjykim, gjatë gjykimit Limaj pritet që për dëshmitarë t’i ftojë të gjithë anëtarët e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përfshirë edhe kryeministrin Hashim Thaçi, transmeton telegrafi.
Fatmir Limaj akuzohet për dhënie të urdhrit dhe pjesëmarrje në torturimin e civilëve shqiptarë e serbë, të paraburgosur në Kleçkë.
Imuniteti i deputetit nuk ndalon që ta thërrasë Limajn në Gjykatë për seancën e konfirmimit të aktakuzës e as për gjykimin e tij, por e mbron nga arrestimi. Në shtator, ndërkaq, pritet që Gjykata Kushtetuese e Kosovës t’i sqarojë dilemat rreth imunitetit të zyrtarëve të lartë shtetërorë.