Kosova, 5 vjet shtet i pavarur
Prishtina në festë, të pranishëm personalitete nga rajoni e bota.
Thaçi: Shndërruam në realitet ëndrrën tonë. Jahjaga: Kemi marrë në dorë fatet tona. Berisha: Çlirimi i Kosovës, kurora e përpjekjeve të shqiptarëve për liri
Prishtina është dekoruar me flamurin e shtetit të Kosovës, me flamuj kombëtar, si dhe të vendeve që e kanë njohur Kosovën, duke çelur kështu zyrtarisht festimet për 5 vjetorin e Pavarësisë. Presidentja e vendit, Atifete Jahjaga, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi dhe lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) Isa Mustafa me rastin e 5 vjetorit të pavarësisë së vendit kanë zhvilluar homazhe pranë varrezave të dëshmoreve të rënë për liri, duke përfunduar me homazhe pranë varrit të presidentit të ndjerë, Ibrahim Rugova, ku kanë vënë dhe kurora lulesh. Në orën 15:00, Kuvendi i Kosovës mban seancë solemne. Ne kete séance pritet të ketë mysafirë nga shtetet fqinje. Gjithashtu në të gjitha komunat e Kosovës, janë organizuar manifestime të ndryshme kulturore për të festuar 5-vjetorin e Pavarësisë së vendit. Kurse në orën 20:00, do të jetë koncerti përmbyllës, në qendër të Prishtinës, ndërsa në orën 23 është parashikuar edhe lëshimi i fishekzjarreve. Kosova ka shpallur pavarësinë gati dhjetë vjet pas përfundimit të luftës me Serbinë. Në 2005 nisen negociatat në Vjenë mes Liderëve të Kosovës dhe atyre të Serbisë. Pas dy vitesh negociata, Prishtina dhe Beogradi nuk kanë arriten ne nje marreveshje. Ndërmjetësi i bisedimeve, Martti Ahtisaari, propozoi Pakon e tij, në bazë së së cilës Kosova më 17 Shkurt 2008 shpalli pavarësinë. Dy vite më vonë më 22 Korrik, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë konfirmoi përmes mendimit këshillëdhënës se pavarësia e Kosovës nuk ka shkelur asnjë nen të Ligjit Ndërkombëtar.
Presidentja e Kosovës, Jahjaga
Në sheshin qendror të Prishtinës u zhvillua Parada e Pavarësisë, ku parakaluan trupat e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Policia e Kosovës dhe Agjencia e Emergjencës. Në këtë ceremoni ishin të pranishëm edhe liderë nga vendet e rajonit, nga Shqipëria, Maqedonia dhe Lugina e Preshevës. Në ceremoni mori pjesë edhe Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani, ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, kreu i PS-së Edi Rama i shoqëruar nga Blendi Klosi dhe kreu i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako. Gjatë fjalës së saj në ceremoni Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga tha se sot është dita për të kujtuar të gjithë ata që luftuan dhe punuan për krijimin e shtetit të Kosovës. “Të gjithë këtyre njerëzve që luftuan për një shtet të lirë dhe një shtet të barabartë dhe në shërbim të qytetarit. Republika e Kosovës është një kontribuuese e madhe për stabilitetin në rajon me synimin për anëtarësim në mekanizma euro-atlantik. Ne po ndërtojmë një vizion të ri për vendin tonë, një vizion për të ardhmen euroatlantike. Ne po punojmë që Kosova të bëhet vend anëtar i Bashkimit Europian në miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”- deklaroi Jahjaga. Presidentja theksoi se Republika e Kosovës i ka të gjitha kapacitet që të jetë një vend i hapur për anëtarësim në NATO, ndërsa ka lavdëruar FSK-në duke e cilësuar atë si njërin prej forcave më kyçe në sigurinë e Kosovës. Ndërkohë, zëvendës/ambasadorja e Shteteve të Amerikës në Kosovë, Kelly Degnan tha se Kosova ka bërë përparime të mëdha në fushën e sigurisë duke vlerësuar përparimin e FSK-së. Ajo po ashtu ka përcjellë edhe urimet e presidentit të SHBA-ve, Barack Obama për pavarësinë e Kosovës. “ShBA është krenare që ka ndihmuar FSK-në sidomos gjenerali i Ioëa-s të cilat janë trajnuar së bashku. SHBA dhe Kosova kanë shumë projekte së bashku dhe një prej këtyre shembujve është ky bashkëpunim dhe trajnimit të nënoficerëve të Kosovës dhe ne do të vazhdojmë që kemi një bashkëpunim të këtillë”,- ka thënë zëvendës/ambasadorja. Ajo po ashtu ka vlerësuar Policinë e Kosovës të cilët kanë instaluar një polici shumë etnike dhe të reagimit të shpejtë dhe njëjtë ka bërë edhe Forcat e Sigurisë së Kosovës përderisa ka shtuar se SHBA do të vazhdojë që ta ndihmojë këto forcat të reja përderisa inkurajon që të kenë edhe pjesëtarë të komuniteteve të tjera në to.
Kryeministri Thaçi
Ndërkaq kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi tha se liria e popullit të Kosovës ishte ëndërr e shumë kosovarëve për vite të tëra, e cila u bë realitet përmes sakrificave të mëdha. “Liria e Kosovës ishte një ëndërr e shumë paraardhëseve tonë. Sot fëmijët e tonë jetojnë të lirë. Andaj falënderimi i madh shkon tek qytetarët e Kosovës të cilët kanë bërë që ne te jemi sot këtu. Shprehim respektin për ish – Ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Sot Kosova ka përparuar në shumicën e sferave, të ligjit, ekonomik por edhe në sfera të saj”, tha kryeministri Thaçi. “Ne ende duhet ta zhvillojmë Kosovës që ajo të ecë dhe të bëhet një shtet bashkëkohorë të integruar në procese euroatlantike dhe qytetarët tonë e meritojnë këtë. Ne do ta bëjmë kë këtë”- vijoi më tej Thaçi.
Urimi i Kryeministrit Berisha
Por në këtë ditë të shënuar nuk ka munguar dhe urimi i Kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha. Në profilin e tij në rrejtin social “Facebook” u përcolli qytetarëvve të Kosovës mesazhin e tij të urimit “Te dashur miq! Gëzuar Kosove, 5 Vjetorin e Pavarësisë! Sot, mbare kombi shqiptar feston 5 vjetorin e pavarësisë se Republikës se Kosovës. Çlirimi i Kosovës, është faqja me e ndritur e përpjekjeve të shqiptarëve për lirinë dhe dinjitetin e tyre, që nga luftërat e Skënderbeut deri në ditët e sotme. Ne këtë 5 vjetor, kombi shqiptar përulet me nderimin më të madh para veprës, arkitektit tëpavarësisë se Kosovës, Presidentit Ibrahim Rugova, sakrificës sublime te kryeheroit te kombit tone, Adem Jashari e mijëra e mijëra luftëtarëve te lirisë qe ranë për tu bere te pavdekshëm për çlirimin e Kosovës”, shkruante Berisha. Duke vijuar më tej me urimin e tij, Kryeministri shprehu mirënjohje për partnerët ndërkombëtare që kontribuan në pavarësimin e Kosovës. “Sot, ne shqiptaret shprehim mirënjohjen me te thelle ndaj SHBA, Presidentit Bill Clinton dhe Presidentit Xhorxh Bush si dhe ndaj Aleancës se Atlantikut te Veriut, qe luajtën rol kryesor ne çlirimin e Kosovës dhe pavarësinë e saj. Një përshëndetje vëllazërore le t’iu dërgojmë ne ketë rast te gjithë qytetareve te Kosoves, udhëheqjes politike te saj, qe ne 5 vjet pavarësi kanë shndërruar Republikën e Kosovës ne një faktor te rendesishem te paqes, stabilitetit e bashkëpunimit ne rajon. Zoti e bekoftë Kosovën e pavarur dhe shqiptaret kudo qe janë!”- uroi Berisha.
Homazhe arkitektit të pavarësisë, Dr.Ibrahim Rugova
Presidentja e vendit, Atifete Jahjaga, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi dhe lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) Isa Mustafa me rastin e 5 vjetorit të pavarësisë së vendit kanë zhvilluar homazhe pranë varrezave të dëshmoreve të rënë për liri, duke përfunduar me homazhe pranë varrit të presidentit të ndjerë, Ibrahim Rugova, ku kanë vënë dhe kurora lulesh. Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka thënë se në pesë vjetorin e pavarësisë, po nderojnë presidentin historik, Ibrahim Rugova. “Jemi këtu që sot në 5 vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Republikës së Kosovës, si përfaqësues të institucioneve të Republikës së Kosovës, të nderojmë presidentin e parë, presidentin historik të Republikës së Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova. Ibrahim Rugova me platformën e tij politike, për liri pavarësi dhe demokraci, mobilizoi si asnjëherë më parë në historinë e shtetit tonë popullin duke e orientuar atë drejt vlerave më të mirëfillta të vendeve të Bashkimit Evropian. Duke e orientuar popullin tonë, që të jetë një vend i liri, sovran dhe shtet i pavarur, duke vendosur miqësi të përjetshme me SHBA-të”, ka pohuar Jahjaga. Ndërsa kryeministri i vendit, Hashim Thaçi, pranë varrit të presidentit Rugova ka pohuar se në 5 vjetorin e pavarësisë, po nderojnë jetën dhe veprën si dhe angazhimin shumëvjeçar të Ibrahim Rugovës, si udhëheqës i lëvizjes për liri dhe pavarësi. “Jemi sot të gjithë së bashku që në rastin e 5 vjetorit të pavarësisë, të nderojmë jetën dhe veprën, angazhimin shumëvjeçar si udhëheqës i Lëvizjes për liri dhe pavarësi të Kosovës, presidentin Ibrahim Rugova. Sot bëjmë këtë nderim institucionet e shtetit, nderon shteti i Kosovës për atë përkushtim angazhim shumë vjeçar dhe lëvizjen për liri dhe pavarësi. Andaj respektojmë sakrificat e të gjithë kontribuuesve në kuadër të saj dhe të presidentit Ibrahim Rugova, si një udhëheqës shumëvjeçar i kësaj lëvizje”, ka thënë ai. Edhe lideri i LDK-së, Isa Mustafa, ka theksuar se gjatë ditës kanë vënë kurora lulesh dhe kanë bërë homazhe tek varret e dëshmorëve dhe tek varri i Ibrahim Rugovës, si një ndërlidhje natyrshme e luftës së UÇK-së dhe të një rezistence afatgjate, për liri dhe pavarësi. “Sot së bashku me institucionet e Republikës së Kosovës, vumë lule te dëshmorët tanë. Tani po përfundojmë te presidenti Rugova, si një ndërlidhje shumë e natyrshme e luftës së UÇK-së dhe të një rezistence afatgjate, për liri dhe pavarësi. Gjithë ne do të punojmë bashkërisht në mënyrë që ta ndërtojmë shtetin e Kosovës dhe në mënyrë që ai të bëhet sa më dinjitoz dhe të përgjigjet kërkesave dhe aspiratave që patën dëshmorët tanë dhe presidenti Rugova”, ka thënë Mustafa.
Paradë ushtarake në Prishtinë; Kosova demonstron forcën ushtarake
Në 5 vjetorin e pavarësisë së Kosovës, për herë të parë është zhvilluar një paradë ushtarake. Shteti më i ri ka treguar me anë të një parakalimi, forcën e tij ushtarake. Presidentja e vendit Jahjaga ka përshëndetur mbështetësit ndërkombëtarë të Kosovës. Duke shtuar që Forcat e sigurisë dhe policia e Kosovës, po bëjnë një punë të admirueshme. Kryeministri Thaçi është shprehur se policia e Kosovës dhe Forcat e sigurisë tashmë përbëjnë një shembull për tu ndjekur në rajon. Komandanti i FSK-së Badri Kastrati, pas raportimit para presidencës ka marë urdhërin për fillimin e paradës. Por ajo që ra në sy, dhe pse e paralajmëruar ishte mungesa e ish anëtarëve të UÇK-së. Gjithashtu për herë të parë që nga shpallja e pavarësisë dhe festimet në çdo përvjetor, nuk është vënë re asnjë flamur kuq e zi në zbukurimet në sheshin ku u zhvillua parada.
...