Bashkimi Europian mes emigrimit dhe luftës së valutave
Në një kohë kur disa vende të Bashkimit Europian po orvaten që të tejkalojnë krizën, qytetarët e vendeve europiane duket sikur kanë gjetur një zgjidhje për problemet e tyre ekonomike. Emigrimi i qytetarëve të vendeve të Bashkimit Europian dukej si diçka që kishte të bënte vetëm me librat e historisë dhe askush nuk mund ta imagjinonte se do të fillonte sërish. Në krye të listës janë vendet fqinje si Greqia dhe Italia dhe fill pas tyre Spanja dhe Portugalia. Ikin për të gjetur një punë diku gjetkë në Europë dhe ka nga ata që udhëtojnë edhe në vende të largëta si Australia. Natyrisht pjesa më e madhe e tyre parapëlqen Gjermaninë edhe për faktin se ky vend nuk është prekur nga kriza por ka dhe shumë të tjerë të cilët preferojnë Irlandën, Suedinë apo edhe Francën. Vendeve pritëse do t’u pëlqente që emigrantët të ishin teknikë dhe profesionistë për të rritur në këtë mënyrë akoma dhe më tepër krahun e punës të kualifikuar për të cilin kanë më shumë nevojë. Agjentët tregtarë priten mirë në Suedi, punëtorët e kualifikuar në Gjermani ndërsa shoferët në Francë. Shumë prej agjensive të punësimit të vendeve të Bashkimit Europian japin të dhënat e lëvizjeve të krahut të punës brenda BE. Natyrisht për efekt të krizës këto lëvizje kanë filluar të shtohen. Vende që e kanë patur si traditë të tyre emigrimin kanë qenë në pararojë (vlen të përmendet Irlanda) por po shtohen lëvizjet e të papunëve edhe nga Europa jugore ku spikasin vende si Italia dhe Greqia. Objektivi kryesor është Gjermania një vend ky që në të njëjtën kohë ka marrë të gjitha masat për rekrutimin e tyre duke parë se është një ndër vendet me një plakje shumë të shpejtë dhe ku shihet një mungesë e theksuar e krahut të punës sidomos në ato të profilit profesional. Aktualisht Gjermania do të ofronte, krahasuar dhe me vendet e tjera europiane, 850 mijë vende pune. Gjermanët do të dëshironin një fluks të tillë sidomos nga vendet e Bashkimit Europian në një kohë kur vendet e Lindjes kanë qenë gjithmonë, në këto vitet e fundit, furnizueset kryesore të Gjermanisë me krah pune. Vetëm disa vite më parë edhe një vend si Italia priste emigrantë ndërsa sot po përballet me një emigrim të vetë italianëve drejt Gjermanisë. Tregu i punës gjerman ka nevojë për njerëz edhe pse vetë Gjermania numëron rreth 3 milionë të papunë por në këtë kategori hyjnë gratë që nuk punojnë por edhe shumë të rinj që nuk studiojnë dhe që nuk ndjekin kurse profesionale. Gjermania ofron punë por kjo nuk është dhe kaq e lehtë sepse një vështirësi jo e pakët paraqitet nga gjuha gjermane. Është e vërtetë se janë shtuar së tepërmi regjistrimet në Institutet e ndryshme europiane për mësimin e gjuhës gjermane por gjithsesi ky është një problem i rëndësishëm për një integrim sa më të shpejtë të emigrantit. Duke parë kërkesën e madhe për vende pune edhe vende si Suedia dhe Danimarka po marrin masat e tyre për të thithur emigrantë e rinj të Bashkimit Europian. Në këto vende do të mjaftonte një punëdhënës dhe një kontratë pune. Në Danimarkë është menduar që të përdoret gjuha angleze për të përshpejtuar integrimin e emigrantëve të rinj. Kërkohen padyshim njerëz të kualifikuar, inxhinjerë, shoferë por edhe njerëz të thjeshtë që mund t’i shërbejnë të moshuarve. Europa në këtë mënyrë mund të ulë sadopak papunësinë e saj sidomos në vendet më të prekura nga kriza. Në takimin e G20 do të flitet edhe për këto lëvizje të njerëzve që kërkojnë punë dhe jo vetëm për “luftën e valutave”. Do të kërkohet vërtet që bankat qëndrore të jenë më agresive duke parë se ekonomia nuk po përmirësohet, madje aty – këtu po shkon drejt përkeqësimit, dhe do t’u kërkohet që të merren më shumë me financimin e ekonomisë dhe të sektorit publik të lidhura këto direkt me krizën dhe pasojat që vijnë prej saj një ndër to padyshim edhe emigrimi. Nga ana tjetër shumë prej vendeve të zhvilluara kanë zhvlerësuar monedhën e tyre duke arritur deri në 16% për të rrritur fuqinë e eksporteve dhe si rrejdhojë edhe hapjen e vendeve të reja të punës. Por e vërteta është se Europa nuk po arrin që të shkëputet përfundimisht nga kthetrat e krizës dhe në këtë “luftë të valutave” monedha e saj euro po qëndron më lart krahasuar me monedhat e tjera të fuqishme. Për Bashkimin Europian në tërësi kjo mund të quhej edhe si një ndërrmarrje e mirë por ka rezerva për disa vende të veçanta dhe për mënyrën sesi këto vende do të vazhdonin të “mbijetonin” me një monedhë euro të lartë. Ndërkaq presidenti i Bankës Qëndrore Europiane, Mario Dragi ka deklaruar se “nuk mund të krijohet rritja ekonomike duke fryrë bilancet”. “Duhet gjetur rruga për të patur më besueshmëri në ekonominë reale, duke krijuar punë dhe duke prodhuar rritje”. Fjalën e kanë politikanët europianë sepse pa ndihmën e tyre edhe Banka Qëndrore Europiane do të ndihej tërësisht e pafuqishme.