Milo: Përjashtimi i të rinjve nga taksat, nxit investime të huaja
Këshilltari i Kryeministrit, Petraq Milo sqaron efektet e uljes së barrës fiskale, e cila ndër të tjera do të rrisë edhe prodhimin vendas
“Përjashtimi i të rinjve nga të gjithë taksat në 3 vitet e para të punësimit, do të ulë koston e punës e do të thithë më shumë investime të huaja, duke dhënë ndikim pozitiv në ekonomi”. Këshilltari i Kryeministrit, Petraq Milo sqaron efektet e uljes së barrës fiskale, e cila ndër të tjera do të rrisë edhe prodhimin vendas. “Marrjen përsipër nga buxheti për të paguar detyrimet e sigurimeve shoqërore, shëndetësore, tatimi mbi të ardhurat personale për të rinjtë që punësohen për herë të parë deri në tre vitet e para. Mendoj se është një nga nismat më efikase duke shtuar dhe uljen e kostos së punës”- thotë Milo.
Përjashtimi nga tatimi mbi pagën e punonjësve pagë mujore nën 30 mijë lekë, do të ndikojë në ekonomi pozitivisht.
Milo thotë se këto masa nuk kanë lidhje me periudhën parazgjedhore, por janë pjesë e reformës 8 vjeçare të qeverisë. Opozita sipas tij bën premtime që nuk kanë logjikë fiskale. “Ne shikojmë që këto gjëra nuk kanë qenë spontane. Lehtësimi i barrës fiskale është një program që në momentin e fillimit. Opozita mund të ketë propozime, por nuk mund të pranoj propozime të tilla si heqja e taksës së biznesit. Këto janë spekulime,manipulime të mirëfillta. Nuk ka logjikë fiskale t’i hiqet një biznesi taksa”- thotë Milo.
Pak ditë më parë qeveria hoqi TVSH-në për pajisjet dhe makineritë për investimet. Ndryshimet fiskale konsistojnë në përjashtimin nga taksa e sheshtë të 215 mijë punonjësve të sektorit privat dhe publik si dhe përjashtimin nga të gjithë taksat e të rinjve që punësohen për herë të parë.