Kosova akuza ish/ministrave: I kanë lënë spitalet pa ilaçe
Halimi anulon tenderat, janë blerë barna 5 herë më të shtrenjta se lista referuese
Ministri i Shëndetësisë Halim Kosova ka pranuar se spitalet në vend kanë vuajtur nga mungesa e ilaçeve si pasojë e abuzimeve që janë lejuar të ndodhin në këtë drejtim nga ish/ministrat. Për këtë arsye Kosova e ka anuluar dhe kthyer tenderin e ilaçeve ndërsa ka premtuar para mediave se duke nisur që nga dita e sotme do të ketë një furnizim të rregullt të spitaleve me medikamente, dhe se kurrë më nuk do të ketë vonesa apo ndërprerje për asnjë arsye.
Abuzimet
I pyetur dje nga mediat ndërsa mori pjesë në një konferencq të ISHP-së mbi trajtimin e sëmundjeve kronike, ministri Kosova tha se të dhënat e para të auditit të brendshëm të kryer në Ministrinë e Shëndetësisë kanë nxjerrë në pah blerjen e barnave 5 herë më të shtrenjta se lista referuese e Ministrisë. Ministri Kosova tha më tej se për këtë arsye janë anuluar disa tendera, çka do të thotë që janë prishur kontratat e lidhura me firma farmaceutike,(në periudhën kur ministër i Shëndetësisë ka qenë z.Vangjel Tavo).
Anulimi i tenderit
Shuma prej 2.4 mld lekë të vjetra është kthyer komplet sepse ka pasur shkelje dhe devijime nga rruga që normalisht duhet të ecte. Çdo tender që ka pasur devijime të mëdha nga lista referuese që ka Ministria e Shëndetësisë kuptohet që do të kthehet. Do të pres të gjitha lidhjet e paligjshme që nuk lejojnë që buxheti i shtetit të shkojë tek pacienti. Buxheti është i tillë që të gjitha nevojat e pacientëve të plotësohen. Çdo njeri që ka abuzuar, do të përgjigjet aty ku i takon, deklaroi ministri Kosova.
Ndryshimet
Ndërkohë Kosova ka premtuar ndryshim të situatës brenda kësaj jave. Pacientët, sipas tij, nuk mund dhe nuk duhet të vuajnë pasojat e tenderave për të pasur ilaçe. “Që prej ditës së martë, do të fillojnë prokurimet, por natyrisht nuk do të përdoren më ato çmime barnash që ishin përcaktuar më parë, të cilat devijonin deri në 5 fish nga lista bazë e medikamenteve. Ka pasur devijime në fondet publike, të dhëna për shëndetësinë dhe keqmenaxhim të institucioneve, veçanërisht QSUT”, u shpreh Kosova, sipas të cilit, ky institucion i rëndësishëm shëndetësor është në këtë gjendje për shkak të keqmenaxhimit të kësaj natyre.
Shefat e rinj
Gjatë fjalës së tij para mediave ministri Kosova ka prekur edhe çështjen aq shumë të debatuar që lidhet me procesin e zgjedhjes së shefave të shërbimit në QSUT, për të cilët Kosova tha se do të respektojë vendimet e qeverisë për këtë proces, duke pasur në themel transparencën. Kosova u tregua kritik edhe me disa të meta të tjera në fushën e shëndetit publik, ndër të cilat edhe zbatimi i ligjit antiduhan dhe alkoolit, që sipas tij, nuk kanë mirëfunksionuar. Ndërsa në fjalën e tij gjatë konferencës për trajtimin e sëmundjeve kronike (jo të transmetueshme) ministri u shpreh se shërbimi shëndetësor shqiptar ka dështuar në këtë drejtim duke mos trajtuar apo parandaluar në kohë përhapjen e sëmundjeve kronike. Statistikat aktuale janë të frikshme, pasi sëmundjet kronike janë shkaktare sot për vdekjen e 67 % të popullatës, dhe përbëjnë 80 % të vizitave ditore ambulatore.