E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosova dhe Çekia, bashkëpunim në fushën e arsimit

Një delegacion i Ministrisë së Arsimit, i kryesuar nga zëvendësministri Nehat Mustafa dhe zëvendësministri për komunitetet Usmen Baldzi qëndroi në Pragë të Çekisë, me qëllim të një bashkëpunimi bilateral në fushën e arsimit.

Delegacioni zhvilloi një takim me zëvendësministrin Çek të arsimit Jindrich Fryc, i cili njoftoj në detaje delegacionin me sistemin e arsimit atje. Gjithashtu, edhe zëvendësministri Mustafa paraqiti një pasqyrim të zhvillimit të sistemit arsimor në Kosovë.

“Në takim u diskutuan politikat në arsimin e lartë, reformat dhe rezultatet në fushën e arsimit dhe afësimit profesional, mënyrat e bashkëpunimit të shkollës me ndërmarrjet, trajnimet e nxënësve si dhe trajnimet dhe licencimi i mësimdhënësve”, ka bërë të ditur në një komunikatë për media MASHT.

Gjatë këtij takimi të dy palët konfirmuan gatishmërinë dhe vullnetin që të fillojnë bashkëpunimin bilateral me anë të nënshkrimit të dokumenteve sistematike.

Zëvendësministrat Mustafa dhe Baldzi takuan në ambasadën e Republikës së Kosovës edhe një grup të studentëve nga Kosova që studiojnë në Pragë.

Delegacioni i MAShT-it ka vizituar edhe seksionin e gjuhës shqipe në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Karlit në Pragë, ku takuan ligjëruesit Premysl Vins dhe Orkida Borshi, të cilët njoftuan zëvendësministrat Mustafa dhe Baldzi për organizimin, ligjëratat, studentët dhe planet për të mbajtur funksional seksionin e gjuhës shqipe në kuadër të katedrës së Ballkanistikës. /Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›