Kosova dhe Serbia, në bisedime për zbatimin
Të dyja palët do të negociojnë në Bruksel për axhendën e zbatimit të marrëveshjes së arritur
Negociatorët e Kosovës dhe Serbisë janë nisur për në Bruksel për të hartuar detajet e marrëveshjes së arritur së fundmi për marrëdhëniet mes dy vendeve. Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, tha se priste të paraqiste idetë për zbatimin e planit në Bruksel para shefes së diplomacisë së BE-së, Catherine Ashton.
Ne presim të biem dakord për planin e zbatimit [me Serbinë] nga data 26 prill, deklaroi Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi.
Fati i marrëveshjes do të varet nga zbatimi i saj, shtoi ai. Të gjitha institucionet e Kosovës do të duhet të angazhohen në procesin e zbatimit me garancitë dhe mbështetjen e Bashkimit Europian, SHBA-së, EULEX, NATO dhe OSBE, shtoi ai.
Ministri i Drejtësisë së Serbisë, Nikola Selakoviç, ndërkohë tha se disa detaje të planit qenë ende të përgjithshme dhe duhet të bëhen më konkrete.
Marrëveshja është arritur, por ne tani duhet të shohim se si do të zbatohet ajo, tha ai. Çdo presje dhe çdo pikë e marrëveshjes ka nevojë për analizë dhe monitorim të kujdesshëm, u tha ministri gazetarëve në Beograd.
Kosova dhe Serbia miratuan një marrëveshje me 15 pika për normalizimin e marrëdhënieve, gjë që i hapi rrugë procesit të integrimit në Bashkimin Europian për të dyja palët. Marrëveshja u nënshkrua më 19 prill.
Marrëveshja lidhet më së shumti me të ardhmen e bashkësisë së serbëve në Kosovë. Marrëveshja parashikon që serbët të zgjedhin vetë komandantët e policisë ndërsa përbërja e policisë në përgjithësi duhet të reflektojë strukturën etnike në terren. Marrëveshja parashikon që më shumë gjykatës do të vijnë nga minoriteti serb.
Një Shoqatë e Komunave Serbe me fuqi të gjera do të përfshijë katër komuna, Mitrovica e Veriut, Leposaviqin, Zveçanin dhe Zubin Potokun. Që nga fundi i konfliktit të Kosovës në vitet 90, Kosova e veriut ka qenë përtej kontrollit të qeverisë së Prishtinës, ndërsa Serbia ka vijuar të financojë sigurinë, sistemin juridik, shëndetësinë dhe arsimin.
Nacionalistët serbë të vijës së ashpër e kanë cilësuar marrëveshjen si shitje të Kosovës. Serbët që jetojnë në gjysmën veriore të qytetit të ndarë të Mitrovicës e kanë kundërshtuar gjithashtu marrëveshjen, duke organizuar disa protesta masive.
Kryeministri i Kosovës tha se është i vetëdijshëm që do të ketë sfida në zbatimin e marrëveshjes, por shprehu besimin se gjithçka do të ecë mirë.
Kosova dhe Serbia, në bisedime për zbatimin burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP Abonohuni me Email