E Shtunë, 31 Tetor 2026

PO SIKUR?

Artan Lame

ARTAN LAME

Artan LamePo sikur Saliu të dojë të shpallet mbret? Kush do ta ndalonte? Mos qeshni para kohe. Kanë qeshur një herë 80 vjet të shkuara gjyshërit tanë para një pyetjeje të tillë dhe … ju doli hidhur në fund.

Ndër të gjallët, askush nuk e kujton atë që ndodhi në Tiranën e pluhurosur të pranverës 1928. Ndërsa historia e shkruar nëpër libra, neve asnjëherë nuk na ka shërbyer si mësim për të ardhmen, por na është dukur gjithmonë si punë përralle që pale a ka ndodhur vërtet. E pra në pranverën e 1928-s, Ahmet Zogu e vendosi që puna e Republikës ishte 5 me hiç. Pas disa vjetësh duhej tia linte poltronën presidenciale dikujt tjetër. Ta le? E pse? A e fitova vetë? A e krijova vetë Republikën?

Kaq duhej, të tjerat janë veç punë procedurash e letrash që duhen plotësuar. Kur Presidenti-Kryeministër i atëhershëm Ahmet Zogu vendosi që populli ta shpallte mbret, natyrisht që nuk mund të propozonte veten, por propozimi duhej të vinte nga poshtë, nga vetë populli. Meqenëse nuk do tingëllonte mirë që, edhe nga poshtë, propozimi të vinte nga sejmenët e tij të Veriut, për të bërë propozimin u përzgjodh që propozimin me vullnet të lirë ta bënin një grup intelektualësh të shquar nga Jugu. Dhe kështu ndodhi.

Një grup intelektualësh të shquar nga Skrapari, një ditë të bukur dërguan spontanisht në Parlament një lutje të zjarrtë, sipas së cilës nuk mund të jetonin më në Republikë; se kujtimi i frikshëm i demokracisë së Fan Nolit të vitit 1924 i shqetësonte pa masë; se popullin se zinte gjumi natën derisa të rrëzohej republika dhe Ahmet Zogu të shpallej mbret, etj. Peticioni i tyre u botua në të gjitha gazetat e pavarura dhe pas kësaj në Parlament vërshuan nga i gjithë vendi peticione dhe telegrame në mbështetje të intelektualëve skraparllinj.

Parlamenti nuk mund të mos i vinte veshin zërit të popullit dhe vendosi të vetëshpërndahej. Pas shpërndarjes së Parlamentit u organizuan në kohë rekord zgjedhje të lira dhe të ndershme, të cilat zgjodhën një Asamble Kushtetuese e cila vendosi rrëzimin e Republikës dhe shpalljen e Monarkisë me mbret Ahmet Zogun, i cili u detyrua nga halli të shpallej mbret.

E shihni se sa e thjeshtë qe? Bota qeshi nja dy javë me këtë shakanë shqiptare dhe pastaj u kthye në punët e veta.

Po sikur edhe Saliut tonë ti ketë lerë në zemër të mos e lëshojë karrigen? Tani kohët kanë ndryshuar, sëra e të dashuruarve pas karriges ka edhe zgjidhje të tjera përveç mbretllëkut. Mbretllëku sidoqoftë kërkon njëfarë sqime, ndaj mund të bëhet edhe ndryshe kjo punë. Sëra e atyre që, si Saliu, nuk duan të lënë karrigen, sëra e diktatorucëve të Amerikës Latine apo të Lindjes së Largme qoftë, tani kanë shpikur një sistem që është më i pranueshëm me kohët e reja, atë të presidentëve për jetë apo edhe të presidentëve të trashëgueshëm. Kështu funksionon ende Kim Jong Ili i Koresë e plot të tjerë.

Po sikur Saliu ti hyjë kësaj udhe kush do ta ndalonte dot vallë? Sikur të çonte në Parlament me ata vuvët e tij deputetë një projektligj për ndryshimin e Kushtetutës, që e bën atë president për jetë, kush nga të tijtë do ti dilte kundër? Apo do kemi shpresë ti thotë jo Muli apo Mesila? Po kur ta votonte, mos do ti thoshte gjë Jozefina? Apo do kundërshtonte opozita? Jemi shumicë e ligjshme do ishte përgjigjja. Po duhen 3/5 e votave për të ndryshuar Kushtetutën. Jo, do qe përgjigjja, ne mendojmë se duhet shumicë e thjeshtë. A nuk u ndërrua edhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kështu. Shkoni në Gjykatë Kushtetuese, nëse nuk jeni dakord. Në këtë pikë sbesoj se ndokush ka dyshim se çvendim do të merrte Gjykata Kushtetuese. Se në fund të fundit, edhe ata kanë familje. Edhe Parlamenti në kohë të Zogut kur ndryshoi Kushtetutën për ta bërë mbret e dinte që po shkelte ligjin, por edhe ata kishin familje.

A mos do ta ndalonte dot presidenti Nishani kur ti shkonte ligji për tu dekretuar? Ha, ha, ha! Edhe sikur jo Nishani, por ndonjë burrë më i mirë të ishte, me çdo ta ndalonte? Me gardistët që vërtet ruajnë presidentin, por për zot njohin Saliun, se ai i ka marrë në punë? Apo me ushtrinë që se kemi hiç. Ju kujtohet kur ishte Bamir Topi president dhe ia ndërronin gjeneralët pa e pyetur hiç? Apo mos do ta ndalojnë ndërkombëtarët, Volfarthi me Podestën.

Dhe kështu me Saliun, president përjetë apo mbret, do shpëtonim nga një numër i pafund procedurash të panevojshme dhe të tepërta; si balancimi dhe pavarësia e pushteteve, zgjedhja e gjykatave, kolegjialiteti në vendimmarrje, liria e mendimit, e drejta e pronës, debatet parlamentare, ndarja e buxhetit, emërimet e institucioneve të pavarura, fushatat zgjedhore; etj.

Në fakt, të gjitha këto belara, procedura, institucione, komisione, votime e më the të thashë, janë shpikur pikërisht për këtë arsye, që të ndalojnë njëshin ti bëjë të gjitha edhe po i mori koka erë. Ndërsa këtu ndër ne, ku më pak e ku më shumë, të gjitha janë vendosur ndën thundrën dhe kontrollin e një njeriu të vetëm, që gjithnjë e më shumë po demonstron se as nuk njeh e as nuk pranon dot tjetër mënyrë të qeverisuri.

E shihni se si me shaka, sesa kollaj mund të bien ndën diktaturë vende si i yni, ku demokracia është ende një punë letrash e ligjesh të sjella me zor nga Brukseli dhe jo një pjesë e ndërgjegjes qytetare. Pikërisht për këtë mbetet si barrierë e fundit ndaj marrëzisë qytetari dhe dinjiteti i tij. Pas dy muajsh, pikërisht këtë do tregojmë, nëse do jemi në gjendje ta mbajmë këtë barrierë të fundit pas së cilës fillon errësira e diktaturës, apo do të biem ndën të, duke pritur e duke u lutur që Zoti të bëjë me vitet atë që nuk bëmë dot ne me votë.

ps. Obobo, shpresoj që me këto radhë të mos ia kem shtënë në mendje, edhe në mos i kishte shkuar ende!

PO SIKUR? burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP Abonohuni me Email

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›