E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosova dhe balancat në rajon

Shtetet dominuese të sistemit ndërkombëtar dhe analistët e tyre politikë i bazojnë skenarët e tyre në atë që quhet teoria e lojës (game theory) dhe bazuar në racionalitetin e secilit shtet.

Skenari më dominues është kur balanca aktuale e pushtetit e vendosur në Ballkan mund të prishet kur Kosova, pas marrjes së pavarësisë "de jure", bashkohet me Shtetin Shqiptar. Bashkimi i Kosovës me Shqipërinë do të promovonte një reaksion zinxhir dhe destabilitet në shtete të tjera me popullsi shqiptare, si Maqedoni apo Mali i Zi.

Në rast të krijimit të një situate të tillë, Serbia dhe Greqia do të ndjeheshin të kërcënuara nga prezenca e një shteti të madh shqiptar, gjë që do i detyronte ato të kërkonin ndihmën e Rusisë. Për Rusinë ky do të ishte moment më oportun për të rritur prezencën në Ballkan.


Rritja e prezencës ruse në rajon do të shqetësonte seriozisht Shtetet e Bashkuara edhe NATO-n. Situata mund të precipitonte shumë shpejt në një krizë globale, duke konsideruar edhe faktin se Shqipëria, Greqia dhe Turqia janë vende anëtare të NATO-s.


Kësaj krize do t'i shtohej edhe ndërhyrja kineze, e cila do të kërkonte që të mos lejonte këtë situatë të përdorej si precedent nga qeveria e Tajvanit. Kjo situatë do të përkeqësohej edhe më tepër në rast të përshkallëzimit të konflikteve në Lindjen e Mesme.


Për shkak të një prezence të një skenari të tillë të mundshëm, unë besoj se ka ardhur koha dhe momenti që ta shohim realitetin në sy, të pranojmë "faktet" ashtu si janë, dhe të largohemi nga ndjenjat nacionaliste që mund të mbërthejnë (ose kanë mbërthyer) jo vetëm popullin, por edhe klasën e tij politike.


Për sa kohë qeveritë dhe liderët kosovarë dhe shqiptarë, përmes deklaratave të tyre, trumbetojnë në veshët e fuqive të mëdha këtë soj skenari, unë do ta konsideroja pavarësinë "de jure" të Kosovës si diçka shumë të largët dhe si një rrezik potencial edhe për pavarësinë "de fakto".


Simptomat mund të jenë të ndryshme dhe shkaktarët mund të jenë si të brendshëm, ashtu edhe të jashtëm.


Por çfarë duhet të bëjnë qeveritë, liderët dhe popujt e Kosovës dhe të Shqipërisë? Populli, qeveria, dhe liderët e Kosovës, së pari duhet të punojnë për të ndërtuar një identitet kombëtar tërësisht të vetin.


Ai duhet të jetë një identitet i ndryshëm nga ai i Shqipërisë apo i ndonjë vendi tjetër dhe duhet në mënyrë të patjetërsueshme të jetë i lidhur me fjalën "Kosovë". Shteti i ri i Kosovës duhet të ndërtojë një identitet që nuk i ngjan asnjë identiteti tjetër, një identitet që do ta bënte atë një "Izrael" të Ballkanit.


Unë besoj se ka ardhur koha që populli kosovar t'i largohet "shqiptarizmës" dhe të ngjallë "kosovarizmën". Shteti i ri i Kosovës duhet ta harrojë Shqipërinë dhe të kuptojë se fuqia e tij e vërtetë nuk ka ardhur, nuk vjen dhe nuk ka për të ardhur nga Shqipëria, Serbia, Turqia, apo Greqia.


Fuqia e tij e vërtetë ka ardhur, vjen dhe do të vijë VETËM nga sistemi politik ndërkombëtar dhe ekzistenca e Kosovës si një entitet me një identitet unik. Moskrijimi ose humbja e këtij identiteti do të ishte vetëvrasje jo vetëm politike, por edhe ekzistenciale.


Së dyti, politikanët dhe qeveritarët e Kosovës DUHET të tregojnë mençuri dhe profesionalizëm në drejtimin e shtetit të ri.


Kjo mënyrë drejtimi do t'u jepte garanci jo vetëm shteteve të fuqishme, por edhe shteteve fqinje për një shtet të ri kosovar, që di të menaxhojë me profesionalizëm jo vetëm aferat e brendshme, por edhe ato të jashtme.


Në këtë pikë, unë shikoj korrupsionin dhe ndasitë partiake radikale si armikun kryesor të shtetit të ri. Janë këta dy faktorë që e gërryejnë nga brenda ekzistencën e këtij shteti të ri. Fatkeqësisht, korrupsioni dhe kundërshtitë radikale për pushtet midis partive politike e kanë bërë klasën politike kosovare të shihet me skepticizëm dhe nënvlerësim nga populli.


Një politikan dhe qeveritar kosovar që është i korruptuar dhe që vjedh në kurriz të interesave të kosovarëve dhe shtetit të Kosovës, NUK DUHET të konsiderohet dhe NUK është më i mirë se një politikan serb që kërkon inekzistencën e Kosovës.


Për këtë qëllim, politikanët kosovarë duhet të studiojnë klasën politike izraelite dhe sjelljet e saj në fillimet dhe konsolidimin e shtetit të ri izraelit.


Për sa u përket partive politike, shumë politologë si Arend Lijphart besojnë se diferencat midis partive politike në një shtet të ri dhe të pa konsoliduar, duhet të jenë minimale ose inekzistente.


Ideologjia që duhet të ndjekë çdo parti politike kosovare, duhet të jetë "kosovarizmi", ideali që duhet të udhëheqë çdo politikan kosovar duhet të jetë "kosovarizmi dhe qëllimi final duhet të jetë që t'u trashëgojë brezave që vijnë një Kosovë të pavarur "de jure", të sigurt dhe të begatë.


Për sa u përket politikanëve dhe qeveritarëve shqiptarë, ata duhet të kuptojnë se Kosova është një çështje e kosovarëve dhe e mbar sistemit politik ndërkombëtar, sistem në të cilin Shqipëria ka rolin e saj të caktuar.


Ashtu si e theksova edhe më lart, Shqipëria në politikat e saj të jashtme është e kondicionuar nga sistemi ndërkombëtar dhe nga potenciali i saj real për të diktuar vullnetin e saj mbi të tjerët. Ndaj, në rastin e Kosovës, Shqipëria duhet të luajë një rol ndërmjetësi dhe balancuesi, por JO agravuesi.


Shumë deklarata dhe insinuate të politikanëve dhe qeveritarëve shqiptarë mbi "rrugën e kombit" "rruga e Arbërit", "rrëzimin e mureve ndarëse", apo "bashkim popujsh", nuk janë gjë tjetër, por deklarata të një fushate politike që nuk kanë lidhje me apo qëllim çështjen e Kosovës dhe që fatkeqësisht, agravojnë marrëdhëniet përbrenda sistemit politik ndërkombëtar dhe përdoren si argument për të trumbetuar skenarin e prishjes së balancave të pushtetit në Ballkan.


Është e patolerueshme për këdo politikan shqiptar që ta përdorë çështjen e Kosovës për përfitime elektorale në Shqipëri, në një kohë kur dëmi i shkaktuar shtetit të Kosovës në arenën ndërkombëtare është i pakrahasueshëm me një grusht votash.


Për sa u tha më lart, unë do të konkludoja se pavarësia "de jure" e Kosovës është sfida më e madhe që koha i ka vendosur përpara klasës politike kosovare dhe shqiptare.


Kjo pavarësi kondicionohet nga politikat dhe marrëdhëniet midis fuqive të mëdha brenda sistemit politik ndërkombëtar dhe nga vullneti i popullit dhe klasës politike kosovare për të krijuar një shtet me identitet unik dhe të patjetërsueshëm.


Ka ardhur koha që "kosovarizmi" të zëvendësojë "shqiptarizmin", racionalizmi të zëvendësojë nacionalizmin, dhe idealizmi të zëvendësojë "mcmafianizmin".


Ka ardhur koha që klasa politike në të dy anët e kufirit ta kuptojë se çështja e Kosovës nuk mund të përdoret për të përmbushur egon, dëshirat, interesat dhe përfitimet politike të një pale apo një tjetre.


Ka ardhur koha që populli dhe politikanët kosovarë të kuptojnë që ekzistenca dhe konsolidimi i këtij shteti të ri është trashëgimia më fisnike që mund t'u lënë gjeneratave dhe brezave që vijnë. Vetëm atëherë do të keni sy e faqe të ballafaqoheni me pasardhësit tuaj.


*Artikulli është pjesa e dytë e shënimit të autorit Pavarësia "de facto" dhe "de jure" e Kosovës". Pjesa e parë u botua në "Shekulli", në numrin e së enjtes.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›