Kuvendi miraton ndryshimet fiskale, mungon opozita
TIRANË- Kuvendi ka miratuar sot pa votat e opozitës ndryshimet në sistemin fiskal. Në një seancë që nuk ka zgjatur shumë deputetët e mazhorancës votuan 6 projekt ligje që synojnë ndryshime në sistemin fiskal si dhe rishikimin e buxhetit të 2009. ato janë kaluar me 73 vota pro, të paraprira nga disa diskutime si dhe nga fjala e kreut të Financave, Ridvan Bode.
Janë votuar nen për nen projektligji për tatimin mbi vlerën e shtuar, ai për taksat kombëtare, taksat vendore, akcizat dhe pr/ligji për procedurat tatimore. Kuvendi ka votuar gjithashtu dhe pr/ligjin për rishikimin e buxhetit të 2009. Ndër pr/ligjet më të rëndësishme janë ato që kanë të bëjnë me rimbursimin e TVSH-së, i cili parashikon atë që nëse administrata tatimore nuk rimburson TVSH për bizneset brenda 30 ditëve, atëherë ky i fundit nuk do paguajë më taksa për qeverinë. Një tjetër pr/ligj i miratuar ishte ai i rritjes së akcizave me 10 lekë për paketat e cigareve, 40% për pijet alkoolike dhe 50% për kafen.
Sipas ministrit Bode, ndryshimet synojnë uljen e evazionit fiskal, por edhe përafrimin e tarifave dhe legjislacionit shqiptar me atë të Bashkimit Evropian.