Kosova e Behlulit, realitet pa mistikë

Tablo nga ekspozita "O vendi im"
Valeria Dedaj
Mbrëmjen e djeshme në Galerinë Zeta u hap ekspozita O vendi im… e piktorit nga Kosova Mehmet Behluli. Rreth 45 tablo që trajtojnë realitetin e shoqërisë kosovare të pasluftës, 1999, e deri më sot. Nuk ka një periudhë të caktuar kur janë realizuar këto tablo. Nëse kohë pas kohe artisti e ka parë të arsyeshme që duhet ti ripërpunonte, u është rikthyer, prandaj dhe këto janë vepra që zhvilluar në vazhdimësi dhe pikërisht kjo, vazhdimësia është një tipar i vendit të Behlulit në tablo.
Kompozimet e Behlulit, si frymëzime nga gjendje reale, vijnë në trajtën e elementeve të materies jetësore zogj, sorra dhe glasat e tyre në të në zezë, lulet, shtëpitë e shkatërruara në rindërtim, dielli dhe librat, si shenja të një gjuhe simbolike. Për përdorimin e sorrës si një kryeshenjë, artisti i referohet etimologjisë se emrit Kosovë: sepse emri i Kosovës e ka emrin prej një zogu Kos, njëfarë sorre më e vogël. Në këtë kuptim dhe Prishtina karakterizohet nga sorrat me glasat e tyre.
Por kjo shenjë sado që është impresionuese thjesht edhe nga përdorimi i dendur në shumicën e tablove, simbolika e saj që nuk mbetet aspak e njëanshme, por pasurohet duke krijuar raportet të kontrastit e mirë/e keqe, e bukur/e shëmtuar, e dëlirë/e ndyrë. Këto i vlejnë për të përshkruar gjendjen e shoqërisë kosovare në periudhën e pasluftës e më vonë në epokën e rindërtimit të vendit dhe shpalljen e pavarësisë.
O vendi im… paraqet një vazhdimësi të vrojtimeve të tija ironike dhe shpotitëse pamore mbi realitetin, shkruan kritiku Shkëlzen Maliqi, kurator i ekspozitës e prezantuar së pari në vitin 2010 në Prishtinë. E më tej: Ndoshta sipas besëtytnive, një glasë që të bie në kokë ose mbi supe interpretohet si fat, në pikturat e Behlulit sorrat dhe glasat përfaqësojnë fatin e keq të shoqërisë. Por piktori gjithçka e lë në dorën e publikut që këtë ta interpretojë sipas dëshirës së vetë, ose si proces metafizik, ose si lloj politike aktuale. As vetë piktori këtë përzgjedhje nuk e ka bërë në mënyrë arbitrare, por sepse ato dominojnë gjithandej në qiellin e Prishtinës. E në këtë cikël tablosh ku mbizotëron e zeza, tek-tuk për ta thyer me të kuqe, të bardhë apo të verdhë, gjenden dhe disa fotografi të cilat tregojnë shtëpinë e piktorit gjatë rindërtimit në dy vjet. Ndërsa në qendër të tyre është një tablo me përmasa më të mëdha, një ndërtesë dykatëshe e shkatërruar tërësisht. Kjo ndërtesë sipas Behlulit, gjendet në rrugën Çarshia e Vjetër në Pejë, sepse aty para luftës ka pasë ekzistuar një banesë, brenda së cilës kanë qenë ndërtuar shumë dyqane luksoze, dhe pas luftës ajo nuk ekzistonte më. Prandaj dhe piktori është përpjekur ta rindërtojë artistikisht nëpërmjet ngjyrave.
Ekspozita që rri hapur deri më 12 qershor, titullin O vendi im… e ka huazuar nga kënga me të njëjtin titull e artistit kosovar Muharrem Qena. Por nuk ka asnjë element tjetër të përbashkët me të, sepse teksti i këngës flet për ndarjen e një djali nga vajza e zemrës që i duhet të largohet nga vendlindja.