Kosova i ka tre faktorë kyç që e afrojnë me BE-në

(E plotësuar) Komisionari për Zgjerim në Bashkimin Evropian, Štefan Füle, të enjten gjatë adresimit deputetëve të Kuvendit të Kosovës, ka kërkuar që të zbatohet marrëveshja e arritur në Bruksel dhe të përmbushën kriteret për negocimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit.
Ai tha se vizioni, kreativiteti dhe kurajo janë tre faktorët kyç që e afrojnë Kosovën me Bashkimin Evropian.
Ai tha se Bashkimi Evropian ka të përbashkët vizionin ku Kosova është pjesë e Evropës dhe të gjithë qytetarët jetojnë në harmoni dhe marrin pjesë në debate të hapura për prioritetet e Kosovës, transmeton Kosovalive360.com.
Füle tha se Kosova ka kreativitet pa të cilin nuk do të mund të pajtohej me Serbinë dhe nuk do të mund t'i propozonim shteteve tona anëtare që Kosova të nënshkruaj Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit.
Sipas komisionarit Füle, pa kurajo lidershipi i Kosovës nuk do të kishte kaluar në dialogun e nivelit të lartë me Serbinë, pa kurajo nuk do të arrinte të gjente kompromise të cilat e dërguan Kosovën drejt marrëveshjes së parë me Serbinë.
"Në anën tjetër Bashkimi Evropian, pati kurajo që të hapte negociatat për MSA-në, përderisa shtetet anëtare kanë qëndrime të ndryshme në statusin e Kosovës", u shpreh ai.
Füle tha se do të vazhdojë ta përkrah Kosovën në përmbushjen e kritereve për Bashkimin Evropian dhe duhet pasur kurajo që të vazhdohet më tutje me zbatimin e marrëveshjes
.............
Kosova mund të përmbyllë negociatat me Bashkimin Evropian për nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim -Asociimit deri në pranverën e vitit të ardhshëm, ka deklaruar te enjten në Prishtinë, Komisionari për Zgjerim, Stefan Fule.
Këto komente, Fule i ka bërë në Prishtinë gjatë një konference të përbashkët me kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi.
Me këtë rast, Fule ka deklaruar se lansimi i MSA-së për Kosovën ishte një shpërblim i merituar pas punës së madhe që është bërë nga ana e institucioneve të saj.
Fule ka thënë se vendet e BE-së ishin unike kur vendosën që të autorizojnë nisjen e negociatave me Kosovën për MSA-në. Me këtë vendim, sipas tij, Kosova përfundimisht është vendosur në agjendën integruese për në Bashkimin Evropian, dhe tani pas pushimeve verore paralajmëroi se do të ketë shumë punë.
Por, ai është shprehur shumë i bindur që e gjitha mund të përmbyllet deri në pranverën e ardhshme.
Njëherësh, Komisionari i BE-së për Zgjerim, Fule ka lavdëruar edhe pozicionin konstruktiv të Prishtinës zyrtare në bisedimet me Beogradin, transmeton REL.
Në anën tjetër, kryeministri Hashim Thaçi është zotuar se Kosova do t’i zbatojë të gjitha rekomandimet dhe obligimet që dalin nga negociatat për MSA-në. Po ashtu, ai e ka siguruar zyrtarin e lartë evropian edhe me përkushtimin e Prishtinës për të zbatuar Marrëveshjen e 19 prillit të arritur në dialogun me Beogradin.
Më pas, Fule ka vazhduar për në Kuvendin e Kosovës për një adresim para deputetëve. /Indeksonline/