Isa Mustafa kërkon vëzhgim të OSBE-së edhe për zgjedhje nacionale

Kreu i LDK-së dhe i komunës së Prishtinës, Isa Mustafa ka pritur të enjten ambasadorin e misionit të OSBE në Kosovë, Jean-Claude Schlumberger, me të cilin ka diskutuar rreth organizimit të zgjedhjeve lokale në Kosovë të 3 nëntorit. Duke çmuar rolin dhe ndihmën që OSBE do t’iu japë institucioneve të vendit në organizimin e zgjedhjeve në veri të Kosovës, Mustafa ka thënë se është shumë me rëndësi që zgjedhjet lokale të mbahen në të njëjtën kohë në terë territorin e Republikës dhe që pjesëmarrja në to të jetë masive.
“Ne e përkrahim këtë proces dhe e përkrahim misionin e OSBE në rolin e saj asistues për institucionet e vendit për organizimin e zgjedhjeve demokratike dhe forcimin e demokratizimit në pjesën veriore të vendit. Por, ne kërkojmë që zgjedhjet lokale, por edhe ato qendrore me vonë, të monitorohen dhe vëzhgohen jo vetëm në pjesën veriore të Republikës por në tërë territorin e vendit, sepse kështu kontribuojmë në realizimin e procesi zgjedhor demokratik”, tha kryetari Mustafa.
Ambasadori Schlumberger tha se është sukses për Kosovën që po arrin që zgjedhjet e 3 nëntorit t’i organizojë në tërë territorin e saj./Indeksonline/