E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosova importon 500 mijë kg mjete piroteknike

Edhe në këtë fundvit, sikurse edhe vite më parë, që nga fillimi i muajit dhjetor, fishekzjarrët gjenden kudo nëpër rrugët e kryeqytetit, por edhe në qytete të tjera të Kosovës. Shitja, blerja dhe përdorimi i tyre tashmë ka filluar.

Ka fishekzjarre që janë shumë të rrezikshëm, dhe që shiten pa ndonjë kriter nëpër rrugë, megjithëse zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme deklarojnë se kompanitë, katër të cilat janë të licencuara deri më tash, duhet të japin shpjegime për mënyrën se si duhet të përdoren ato.

Edhe pse prej vitesh ekziston një ligj, sipas të cilit duhet të kontrollohen të gjitha subjektet që importojnë fishekzjarrë, nga ajo që shihet në terren, duket se një ligj i tillë nuk zbatohet ashtu siç duhet.

Drejtori i Departamentit për Siguri Publike në Ministrinë e Brendshme, Driton Gashi, tha për Radion Evropa e Lirë së lidhur me çështjen e fishekzjarrëve, ministria çdo vit aplikon rregullat për kontrollin e importimit të mjeteve piroteknike, vetëdijesimin e qytetarëve, si dhe kontrollin dhe shitjen e këtyre mjeteve.

Kurse, sa i takon zbatimit të ligjit, Gashi pranon se ai nuk po zbatohet siç duhet.

“Normalisht, ne nuk jemi të kënaqur me shkallën e zbatimit të ligjit ose të udhëzimit administrativ. Ne kemi thënë edhe në vitet paraprake se ne kemi zgjedhur një rrugë pak më të vështirë dhe më të gjatë, që është vetëdijesimi i njerëzve. Pra, njerëzit duhet të njoftohen dhe pastaj duhet të jenë të përgjegjshëm për zbatimin e ligjit”, tha Gashi.

Vitin e kaluar, por edhe vitet me parë, nga pakujdesia dhe mungesa e informacioneve për përdorimin e fishekzjarrëve, dhjetëra qytetarë janë lënduar, dhe nga plagët e marra kanë kërkuar ndihmën e mjekut.

Lëndimet e qytetareve thuhet se, veç tjerash, kanë ndodhur edhe për faktin se në artikujt e blerë nga qytetarët, nuk ka pasur shpjegime se si duhet të përdoret një fishekzjarr./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›