Kosova ka përmbushur në masë të madhe planin e Ahtisaarit

Ai në një konferencë për media pas mbledhjes së kryesisë, të hënën ka thënë se Parlamenti i Kosovës i ka kryer të gjitha obligimet që janë në përgjegjësinë e Parlamentit, duke u miratuar në lexim të parë 22 ligje që kanë të bëjnë me heqjen e mbikëqyrjes së pavarësisë.
Gjithashtu ai ka shtuar se edhe dokumenti i Presidentit Ahtisaari, në masën më të madhe është përmbushur në Kosovë dhe për këtë duhet të fillojë një proces i ri.
“Mbikëqyrja ka qenë për të përcjellë realizimin e dokumentit gjithëpërfshirës të Presidentit Ahtisaari dhe ai dokument është realizuar në pjesën më të madhe të Kosovës, ka mbetur i parealizuar në pjesën veriore dhe nëse kihet kjo parasysh, mund të thuhet se Kosova në masë të madhe i ka përmbushur kërkesat për të filluar një proces të ri”, ka theksuar kryeparlementari Krasniqi.
Ndërkohë në lidhje me krijimin e Qeverisë serbe një Qeverisë ultranacionaliste, Krasniqi ka thënë se kjo i takon popullit serb dhe politikës në Serbi. Sipas me rëndësi është implementimi i marrëveshjeve që janë arritur dhe më pas mundësi e vazhdimit të bisedimeve.
“Çështja se kush është në Qeverinë serbe, është çështje e qytetarëve serb dhe politikës në Serbi, sa i përket bisedimeve ne kemi arritur disa marrëveshje gjatë një viti në bisedimet e Brukselit, duhet të shikohet se si po realizohen marrëveshjet e arritura, nëse ka një realizim të atyre marrëveshjeve sigurisht që mund të bisedohet me çështjet e interesit të dy vendeve dhe qytetarëve të dy vendeve të pavarura”, ka deklaruar ai.
Ndërkohë për mundësinë e ndërrimit të ekipit për këto bisedime, Krasniqi ka thënë se me rëndësi është të shikohet a po realizohen marrëveshjet, ndërsa për kapacitet vendos Qeveria e Kosovës. /kosovapress/