E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosova këtë vit nuk aplikon për anëtarësim në KE

Ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, ka pritur të martën në takim një delegacion nga Këshilli i Evropës, ku temë e diskutimit ka qenë, si të shfrytëzohet mundësia e anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë të rëndësishme evropiane dhe për bashkëpunimin edhe më të madh mes Kosovës dhe KE-së. Por ministri Hoxhaj ka bërë të ditur se gjatë këtij viti Kosova nuk do të aplikoj për anëtarësim në këtë organizatë.

Pas takimit delegacioni i KE-së nuk ka dashur të prononcohet për media, ndërsa ministri Hoxhaj, takimin e ka vlerësuar si shumë të frytshëm, ngase siç ka thënë ai është vizita e tyre e parë zyrtare jo vetëm në Ministri të Punëve të Jashtme, por në institucionet e Kosovës.

Shef i diplomacisë kosovare ka thënë se në takim është diskutuar shfrytëzimi i mundësisë së anëtarësimit të Kosovës në një të ardhme të afërt në Këshillin e Evropës dhe si të ketë mbështetjen Kosova nga ky institucion.

Por ministri ka sqaruar se gjatë këtij viti Kosova nuk do të aplikoj për anëtarësim në Këshillin e Evropës, por së pari në bankën e këtij Këshilli.

“Ne nuk planifikojmë në vitin 2013 që të aplikojmë për anëtarësim në Këshill të Evropës, por kem një koncept dhe strategji të qartë që të aplikojmë në disa institucione që janë shumë relevante pranë Këshillit të Evropës, realisht duhet të mendojmë që të aplikojmë në bankën e Këshillit të Evropës e cila është një bankë zhvillimore dhe pas anëtarësimit në Bankën Evropiane për Zhvillim dhe Rindërtim, ky do të jetë ndër hapat e tjerë të ardhshëm. Po ashtu dua të them se për çdo anëtarësim apo aplikim të Kosovës në organizata evropiane dhe ndërkombëtare ne kem bashkëpunim të ngushtë me partnerët tanë”, ka theksuar ministri Hoxhaj.
Për më tepër ai ka shtuar se çdo vendim që merr Ministria e Punëve të Jashtme është vendim në koordinim me shtetet mike të Kosovës.

Madje ai vizitën e delegacionit të Këshillit të Evropës e ka vlerësuar si të karakterit historik, meqë është vizita e parë institucionale në Kosovë.

Ndryshe, që nga shpallja e Pavarësisë së Kosovës kontaktet kanë qenë të zbehta dhe shumë të limituara mes Kosovës dhe Këshillit e Evropës. Mirëpo gjatë këtyre dy viteve është arritur që të përmirësohen këto relacione në mes të Këshillit të Evropës dhe Republikës së Kosovës.
Delegacion nga Këshilli i Evropës, ka qenë në përbërje të Matjaz Gruden, zëvendësdrejtor i Kabinetit të Torbjorn Jagland, Uwe Muller këshilltar politik në drejtoratin për Këshilldhënie Politike, Tim Cartwright, shef i Zyrës së Këshillit të Evropës në Prishtinë, si dhe Andrew Forde , zëvendësshef i Zyrës së Këshillit të Evropës në Prishtinë. /Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›