Kosova kritikon spitalet: Kam bërë verifikime edhe natën, ka shpërdorim të buxhetit
Ministri i sapoemëruar në krye të Shëndetësisë shqiptare Halim Kosova, ndonëse jo në mënyrë të drejtpërdrejtë, ka kritikuar ish ministrat e Shëndetësisë dhe ish drejtuesit e spitaleve për një menaxhim jo të mirë të buxhetit të Shëndetësisë.
Monitorimi
Dje gjatë një konference për shtyp ku prezantoi drejtorin e ri të QSUT-së, ministri Kosova është shprehur se buxheti i spitaleve të vendit nuk menaxhohet si duhet pasi në to ka mungesa të pajustifikuara. Ky koment i ministrit të Shëndetësisë, Halim Kosova, vjen pas disa vizitave dhe monitorimeve, që ai vetë ka kryer personalisht në disa nga spitalet e vendit. Ai ka shtuar se do të riorganizohet puna në të gjithë sistemin shëndetësor, me qëllim që pacientëve tu jepet ajo që ju takon.
Buxheti
“Kam kryer verifikimet e mia këto ditë, pa praninë e medias, në çdo orë të ditë natës në shumicën e spitaleve të vendit, dhe nëpërmjet stafit tim të ngushtë kam konstatuar se; nuk është se buxheti i qeverisë korrespondon me këtë situatë në të cilën gjenden sot spitalet tona. Kjo është e papranueshme dhe vëmendja ime si ministër i Shëndetësisë do të jetë të krijojmë një sistem shëndetësor jo vetëm të vlefshëm për pacientët, por edhe për personelin mjekësor. Por fillimisht, njëherë na duhet bashkë që tu afrojmë pacientëve atë që kërkojnë”, deklaroi ministri Kosova.
Drejtori i QSUT
Këto deklarata ai i bëri gjatë prezantimit të drejtorit të ri të QSUT-së, Helidon Bushati. Gjatë ceremonisë së prezantimit, drejtori i ri tha se sfida e tij do të jetë përmirësimi i shërbimit që i ofrohet pacientit. Bushati ka mbajtur më herët postin e drejtorit të Përgjithshëm të Burimeve dhe Modernizimit, në Ministrinë e Mbrojtjes. Ai zëvendëson në këtë post Edmond Rrushin, i cili u emërua në krye të QSUT-së më 18 shtator 2012, pas largimit të Saimir Ivzikut. Ky i fundit e mbante postin e drejtorit të Qendrës Spitalore Universitare Nënë Tereza, që prej datës 13 tetor 2010, dhe u emërua në këtë post, pas dorëheqjes së Ilir Dashit.
Shkarkohet drejtori i spitalit të Korçës
Është shkarkuar nga detyra, drejtori i spitalit të Korçës, Artan Buzo. Shkarkimi i tij është bërë ditën e djeshme nga Ministria e Shëndetësisë, me arsyetimin për nevojën e rritjes së performancës në spitalin rajonal. Buzo ka drejtuar spitalin e Korçës prej më shumë se një viti. Aktualisht në Korçë në strukturat e LSI-së ai kryen funksionin e anëtarit të Kryesisë së kësaj force politike. Emërimi i drejtorit të ri të spitalit të Korçës pritet të bëhet ditën e hënë. Shkarkimi i drejtorit të spitalit të Korçës vjen pas atyre të dy ditëve më parë, kur Ministria e Shëndetësisë largoi nga detyra drejtorin e spitalit të Vlorës, Lezhës, si dhe drejtoreshën e shëndetit publik në Pukë, me të njëjtin arsyetim, për rritje të performancës në këto institucione.