DREJT SALI GËRDECIT!
SKËNDER MINXHOZI
Për të gjithë ata që e kanë harruar autorësinë e këtij slogani, kujtojmë se ai i përket Ilir Metës. Ishte viti 2008, kur LSI dhe kreu i saj bënin presion mbi Partinë Socialiste dhe Edi Ramën, për ta shfrytëzuar shpërthimin tragjik në portat e Tiranës, për rrëzimin e qeverisë Berisha. Asokohe, Rama pati një tjetër lexim të situatës. Atë që thoshte se një qeveri e dobësuar nga skandali i Gërdecit, do të ishte më e lehtë për tu mundur në zgjedhjet e një viti më pas (2009), sesa një ekzekutiv i ri që do të vinte pas Berishës, e që do ti jepte atij mundësi që të riciklohej politikisht. Sot, pasi kemi parë atë që ka ndodhur, mund të themi se qasja e LSI për të larguar Sali Gërdecin në vitin 2008, ishte një shans që PS nuk diti ta shfrytëzojë.
Ajo që ka ikur nuk kthehet më. E vetmja gjë që mesa duket mund të rikthehet edhe një herë nga e para, është rivaliteti i hapur mes dy ish-aleatëve Berisha dhe Meta, që qeverisën këtë vend pas 2009, mes një mijë kontradiktash, humoresh, incidentesh e situatash. Në një situatë surreale të nxehur nga rivaliteti elektoral, po ndodh ajo që vetëm pak javë më parë konsiderohej thjesht e pamundur. LSI rikthehet në opozitë dhe kërkon rrëzimin e qeverisjes ku ishte kontributore besnike për tre vjet e nëntë muaj. Slogani Sali Gërdeci po rigjen pronarin e vjetër, ndërsa Ilir Meta po i rikthehet shijes së përplasjeve me pushtetin. Ashtu si në 2008, kur kapërcente bangot e Parlamentit, për tu përleshur me rojet e Jozefina Topallit. Çka mund të ndodhë sërish. Për shembull të hënën, kur Berisha dhe Topalli do të përpiqen ti marrin anëtarin e KQZ. Natyrisht, nëse do të kenë numrat dhe nëse do ti lejojnë nga Brukseli dhe Uashingtoni.
Metamorfoza e Ilir Metës dhe partisë së tij brenda kostumit të ri të opozitarit, po ndodh shumë më shpejt sesa ishte parashikuar. Ajo po vjen nën ritmin e ethshëm të fushatës, nën kodin e ftohtë të garës për pushtet, po aq sa edhe nën veprimin e fortë gërryes të urrejtjes së Sali Berishës ndaj ish-aleatit, që tani kërkon ta rrëzojë nga pushteti. Është një ngjarje që po zhvillohet në kohë reale në sytë e të gjithë opinionit publik, është një miqësi katërvjeçare që po shkrin si bora në diell sa hap e mbyll sytë, sikur nuk ka ekzistuar kurrë më parë. Dorëheqjet e zyrtarëve politikë do të pasohen shpejt nga heqjet edhe të atyre që mbajnë një post kinse të mbrojtur nga statusi i nëpunësit civil. Pakkush do të përjashtohet, mesa po shihet, nga vala e rishikimit të listave, ku urdhri i radhës duket i qartë dhe i prerë: zhdukni 20 përqindëshin e LSI!
Kjo armiqësi ka qenë e pritshme dhe e parashikueshme. Ka qenë sjellja e vetme që Sali Berisha ka ditur të kultivojë ndaj kundërshtarëve (dhe Meta sot është një i tillë), që ditën kur ka vënë këmbën në politikën aktive. Kultura e urrejtjes dhe e dhunës e kryeministrit, po godet edhe LSI-në, pavarësisht pozicionit të butë dhe të kujdesshëm që Ilir Meta u mundua të mbajë në orët e para pas shkëputjes nga qeveria. Konflikti për anëtarin e KQZ-së tregon se tashmë ka një dozë të konsiderueshme armiqësie mes dy partive ish-aleate, gjë që pasqyrohet edhe nga evoluimi i shpejtë i sulmeve gjithnjë e më të drejtpërdrejta verbale, që po shkëmbejnë PD e LSI në këto ditë. Brenda pak orëve Meta e ka konsideruar si veprim diversantësh tentativën e demokratëve për ti marrë anëtarin e KQZ, kurse nga qeveria i janë përgjigjur shpejt dhe me të njëjtin kolorit gjuhësor. Sjelljen e Metës e kanë quajtur veprim prej Pal Mëlyshi. Një krahasim me të infiltruarin e njohur të bandave në fillim të viteve 50, që e tregon qartë përshtypjen që kreu i LSI ka lënë pas, në shtëpinë ku bujti për katër vjet, pas ikjes së beftë majtas.
Nën këtë presion të rritur dukshëm, Meta dhe përkrahësit e tij nuk kanë shumë hapësirë për të manovruar. Një situatë që po i pastron gradualisht nga imazhi që kanë në sytë e popullit të majtë dhe që po u jep në dorë certifikatën e opozitarit. Ata po shtyhen orë pas ore drejt një qëndrimi të pastër antiqeveritar, pa nuancat dhe hijet e aleancës së vjetër. Koha e bashkëqeverisjes me Saliun, po ia lë shpejt vendin momentit të përplasjes së vërtetë, pa nëntekste dhe teori komploti. Sepse po preken interesa thelbësore të palëve dhe sepse në mes është sërish çështja e pushtetit. Të paktën kjo shihet deri tani. Ajo që ndodh nën tryezë, veçse mund të imagjinohet. Pritet të shihet se çfarë do të sjellë e hëna, për të parë më qartë sesa shpejt dhe thellë janë degraduar marrëdhëniet mes PD e LSI. Sinjalet luftarake që vijnë nga të gjitha anët, nuk bëjnë gjë tjetër, veçse e ushqejnë edhe më tam-tam-in e betejës që duket në horizont. Mesa duket hija e rëndë e 23 qershorit nuk do të lërë vend për gjysma miqsh dhe gjysma armiqsh. Siç parashihej në fillim se do të ndodhte mes dy ish-aleatëve, për shembull në Bashkinë e Tiranës. Votimi pro Bashës në mbledhjen e fundit të këshillit bashkiak, mund të jetë gjesti i fundit paqësor i LSI ndaj tij, në një përballje që pritet ti përfshijë të gjithë dhe të gjitha. Pikërisht si atëherë kur Ilir Meta bënte thirrje për të larguar Sali Gërdecin!
DREJT SALI GËRDECIT! burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP Abonohuni me Email