Përmbaruesit pro paketës së Fullanit: Zhbllokohet stoku i pronave bankare
Një mori pronash të sekuestruara nga bankat si pasojë e kredive të papaguara, kanë mbetur të bllokuara. Përmbaruesit thonë se ndryshimet e reja në Kodin e Procedurës Civile do të zhbllokojnë tregun e pronave që kanë mbetur stoqe.
Përmbaruesit
“Ligji i mëparshëm nuk ka qenë aq efikas dhe kjo ka bërë që një pjesë pronave të regjistrohen dhe të mos kalojnë as nga banka dhe as të mos njihen më nga debitorët. Kjo ka bërë që ka rritur pjesën e stokut dhe në rast se ndryshimet do të arrijnë deri në 40 për qind të realizohen, atëherë do të ketë një ndryshim në shitjen e aseteve të vëna garanci për llogari të bankave”, ka thënë dje në media kryetari i Dhomës së Përmbaruesve, Petrit Qarri.
Gjykatat
Më tej Qarri, ka shtuar se tregu ka hyrë në ngërç edhe për një arsye tjetër, atë që ka të bëjë me pezullimin e ankandeve nga gjykatat. “Do të thosha që ishte bërë gangrenë. Po të hysh të shohësh me kujdes në lidhje me përqindjen numrin e dosjeve, do të gjesh që një përqindje më e madhe janë dosje të pezulluara me kreditorë banke”, thotë Qarri.
Stoku i pronave
Rritja e shpejtë e kredive të këqija ka krijuar një stok jo të vogël me prona të sekuestruara. Në vlerë, pjesa më e madhe e tyre vjen nga bizneset që nuk kanë shlyer kreditë. “Pjesën më të madhe e zënë kreditë e kompanive, se janë ato që kanë marrë më shumë, ndërsa debitorë më të shumtë janë personat fizikë”, thotë Qarri.
Paketa e re
Kodi i ri i Procedurës Civile i jep të drejtë bankave ta ulin çmimin e pronës deri në 40 për qind të vlerës dhe e bën të pamundur për humarrësit që të ankimojnë procesin në gjykatë me shpresën për të bllokuar shitjen. Ndryshimet e hartuara nga Banka e Shqipërisë me ndihmën e Bankës Botërore, pritet të votohen të hënën në Parlament.