E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosova merr 110 milionë euro hua nga Fondi Monetar Ndërkombëtar

Qeveria e Kosovës ka arritur një marrëveshje me Fondin Monetar Ndërkombëtar, për marrjen e një huaje prej 110 milionë eurosh, me kushte shumë të favorshme. Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se me këtë marrëveshje, vendi do të ketë një rritje ekonomike prej 6 për qind në vit. “Është arritur marrëveshja, në parim, në mes të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar. Së bashku me FMN-në është bërë planifikimi i duhur ekonomik që i garanton Republikës së Kosovës rritje ekonomike rreth 6 për qind në vit”, tha kryeministri Thaçi, në një komunikim për mediat sëbashku me përfaqësuesit e FMN-së. Kreu i Qeverisë tha se ky zhvillim ekonomik po ndodh në kohën kur bota po përballet me një krizë të ndjeshme ekonomike. “Programi i FMN-së për Kosovën nënkupton hua 110 milionë me kushte shumë të favorshme. Plani për zhvillimin ekonomik i hartuar së bashku me FMN-në, gjithashtu hap rrugë edhe përfshin donacionet e premtuara edhe nga Bashkimi Evropian dhe Banka Botërore gjatë 3 viteve”, shtoi Thaçi. Nga ana e tij, shefi i ekzekutivit të vendit ka shtuar se marrëveshja e sotme është me rëndësi në procesin e filluar në qershor të vitit 2009 me anëtarësimin e Kosovës në FMN. Sipas tij, sukseset e Qeverisë së Kosovës deri më tani janë të qarta në këtë drejtim, sepse siç ka thënë ai në kohën kur kriza ekonomike globale ka ndaluar rritjen ekonomike në shtete të zhvilluara, Republika e Kosovës ishte e vetmja në rajon me rritje pozitive me 4.4 për qind.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›