E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosova mes festës së Pavarësisë dhe protestës, gazetarja e RTK: Mbi 130 mijë qytetarë në sheshe. Fuqia e zërit të UÇK jehoi përmes popullit

Kosova ka shënuar 18-vjetorin e Pavarësisë mes festimeve dhe një proteste masive në kryeqytet, në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së.

Gazetarja e RTK-së, Arlinda Sejda tha në një lidhje për emisionin “trialog në RTSH” se mbi 130 mijë qytetarë kanë mbushur sheshet e Prishtinës, duke e kthyer marshin në një demonstrim të fuqishëm të zërit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Mbi 130 mijë qytetarë ishin prezentë në sheshet e Prishtinës, sipas statistikave të dala nga Polica e Kosovës dhe platforma “Liria ka emër”. Jehoi fuqia e zërit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës përmes popullit të Kosovës në të gjithë sheshet e Prishtinës. Një ngritje zëri për drejtësi të barabartë dhe jo drejtësi të njëanshme”, tha ajo.

Lidhur me reagimin e politikës në Kosovë, gazetarja Sejda tha se e pranishme në marshim ishte Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, por mungoi kryeministri Albin Kurti. Megjithatë ajo theksoi se ky marshim kishte deklaruar qartësisht për një distancim nga mesazhet politike.

“Presidentja e Kosovës ishte prezentë në marshin e sotëm. Kryeministri Kurti nuk ishte prezent në marshin e sotëm. Por prezenca edhe e politikës, si prezencë qytetarie sepse marshi ka bërë thirrje për drejtësi dhe jo politikë dhe ndaj nuk kishte asnjë fjalim të askujt që do ndërlidhej me çështje politike. Sa i përket deklarimeve së fundi kemi parë që është përmendur kauza e lirisë për ish-krerët e UÇK”, theksoi gazetarja Sejda.

Ish-presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe ish-liderët e tjerë të UÇK-së ndodhen në Hagë, nën akuza për krime lufte. Ndërsa gjyqi për ta po vjen drejt fundit, vetë Thaçi dhe ish-liderët e tjerë do të flasin nesër në 18 shkurt në Hagë.

Në Prishtinë, krahas aktiviteteve për 18-vjetorin e Pavarësisë, është mbajtur edhe një protestë me pjesëmarrje të gjerë në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së, ndërsa Kuvendi i Kosovës dhe Kuvendi i Shqipërisë kanë miratuar akte ku theksohet domosdoshmëria e një procesi të rregullt ligjor në Hagë.

/rtsh.al/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›