Kosova mes paradoksesh dhe ftesa për Tadiç
Beteja elektorale në raundin e dytë të zgjedhjeve në Kosovë e ka tensionuar situatën e brendshme duke e vënë koalicionin qeverisës PDK - LDK në një pozicion të vështirë. Pjesa më e madhe e asambleve komunale (këshillat vendore) do të drejtohen nga shumicat e njërës prej forcave bashkëqeverisëse me forcat e tjera politike. Në pothuajse të gjitha komunat pozicionet PDK-LDK, varësisht nga shumicat e arritura, do jenë pozitë-opozitë.
Kryeministri Thaçi ka lënë të kuptojë se do të ketë ndryshime në qeverinë e tij fill pas përfundimit zyrtar të procesit të zgjedhjeve vendore. Nga ana tjetër LDK ka dhënë sinjalin se do të jetë dakord nëse këto ndryshime nuk do të prekin institucione të tjera, duke nënkuptuar ruajtjen prej saj të postit të Presidentit. Nga këtë deklarime shihet qartë se Kosova mund të vazhdojë të drejtohet nga një qeveri e ndarë në dy parcela, njëra e PDK-s dhe tjetra e LDK-s, që unifikohen sa herë Thaçi dhe Sejdiu duhet të takojnë personalitete të rëndësishëm të vendeve të huaja, dhe që rikthehen në pozicionet e tyre e përgatiten për ti rrëmbyer pushtetin njëra-tjetrës. Për të dalë prej ngërçit politik që prodhon vetëm paradokse Kosova ose duhet të shkojë drejt zgjedhjeve parlamentare, ose të rikonfigurojë një koalicion tjetër qeverisës që do të nënkuptonte kalimin e LDK-së në opozitë.
Politikisht Kosova ka nevojë për konfigurimin e spektrit, brenda të cilit nuk gjen asnjë çift partish që ta konsiderojnë veten aleate të natyrshme me njëra-tjetrën. Kjo pritet të sjellë konfuzion sa herë që në Kosovë do duhet të krijohet një qeveri stabël. Dy partitë kryesore PDK-ja e dalë nga lufta dhe LDK-ja e krahut pacifist, armike deri vonë me njëra-tjetrën, ndodhen në koalicion qeverisës, ndërsa në bazë luftojnë ashpër kundër njëra-tjetrës. Partia tjetër e dalë nga lufta AAK-ja është kundërshtarja kryesore e PDK-së. Po ashtu, LDD-ja, partia e dalë nga LDK-ja, është kundërshtare e vendosur e kësaj të fundit dhe akoma nuk e shikon si aleate. Partia më e re, AKR-ja (e biznesmenit Pacolli) është e paorientuar në spektër. Politikisht ajo presupozon koalicion me të gjithë dhe si e tillë mbetet garniturë, ose një rregullator politik, që do të plotësonte çdo lloj koalicioni që mund të kishte nevojë për të. Qeverisjen në Kosovë nuk e paraprijnë programet, por e përcaktojnë shifrat pas zgjedhjeve. Sepse, atje nuk ka deklarime paraprake, se cilat koalicione e pretendojnë pushtetin, por koalicionet formohen pas zgjedhjeve varësisht nga kuotat dhe interesat e çastit.
Institucionet vendore kosovare e kanë kapërcyer testin e parë të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Pavarësisht nga problematika e krijuar në komunën e Prizrenit, për shkak të rezultatit shumë të ngushtë, zgjedhjet në përgjithësi nuk mund të qortohen. Përfundimi në këtë rajon do të jetë testi përfundimtar për standardet e zgjedhjeve vendore.
Kosova ndodhet në vendin e fundit në raport me procesin integrues në BE. Para pak ditësh, qytetarët e Serbisë, Maqedonisë dhe Malit të Zi, provuan shijen e lëvizjes së lirë në vendet e BE-së. Në Kosovë u protestua për mospërfshirjen e saj në këtë eveniment, ndërsa në Shqipëri dhe Bosnje kjo gjë kaloi në heshtje. Në rastin e Kosovës, mund të thuhet se Evropa ka demonstruar një qëndrim të dyfishtë: nga njëra anë ia ka njohur pavarësinë dhe nga ana tjetër i ka ndëshkuar qytetarët e saj. Duke ndëshkuar deri diku edhe vetveten, pasi është ajo që nëpërmjet misionit EULEX, mbikëqyr procesin e shtetformimit në Kosovë. Që do të thotë se ngërçi vjen jo vetëm së brendshmi, por edhe për shkak të mosmarrëveshjeve brenda kontinentit, që arrijnë deri në paradokse të tilla sa të ndëshkojnë viktimën dhe të favorizojnë xhelatin.
Paralel me këto zhvillime vjen paradoksi tjetër. Kryeministri Berisha deklaroi në prani të përfaqësuesve institucionalë të një pjese të komunitetit serb të Kosovës, se e ka ftuar Presidentin serb, Tadiç, për të vizituar Shqipërinë. Por, nëse pritja për serbët e Kosovës duket e gjetur dhe e justifikuar, gjithsesi ta marrësh, një vizitë zyrtare e Presidentit serb në Tiranë nuk do të thoshte gjë për shqiptarët. Përkundrazi do t'i shtonte pikë vizitorit dhe, pse jo, do të justifikonte deri diku lëvizjet politike të Serbisë në raport me zhvillimet në rajon.
Tadiç, edhe pse i përket krahut reformator në Serbi, nuk ka kërkuar asnjëherë falje për atë çfarë ka ndodhur në Kosovë. Për mijëra viktima, dhjetëra mijëra të masakruar dhe qindra mijëra të dëbuar. Presidenti serb ka përsëritur disa herë, në çdo takim diplomatik, se Serbia nuk do ta njohë kurrë (theksoj: kurrë) pavarësinë e Kosovës. Në vijim të kësaj linje, ai ka nxitur mospjesëmarrjen në institucione të përfaqësuesve kryesorë të pakicës serbe në Kosovë. Një vizitë e Tadiçit në Tiranë do të përligjte qëndrimet e shtetit të sotëm serb, ndaj statusit të Kosovës.
Marrëdhëniet dypalëshe Serbi - Shqipëri mund të jenë në nivel të mirë, pa i dhënë favorizime politike të parit të Serbisë. Turistët serbë, njëlloj si ata maqedonas, mund të vijnë në plazhet shqiptare pa asnjë problem; tregu serb, po ashtu, mund të futet në Shqipëri, ose mund ta përdorë si transit atë edhe pa pas radhë, i pari i Serbisë në Tiranë.
Në fund të fundit, ajo që duhet të dihet është se një pritje e Tadiçit në Tiranë, nuk ndryshon gjë në raportet e Serbisë me Kosovën. E pse duhet që ne shqiptarët t'i japim me dorën tonë licencën e burrit të mirë Presidentit serb, ndërkohë që në Kosovë ai as pritet e as përcillet, po veçse hyn dhe del i shoqëruar nga ndërkombëtarët si një i huaj i padëshiruar? Zotëria në fjalë, para se të pritet në Tiranë duhet të pranojë të pritet zyrtarisht, në Prishtinë, nga autoritetet e shtetit të Kosovës, sipas të gjitha rregullave protokollare. E pasi të pritet në Prishtinë do të ishte i mirëseardhur në Tiranë.