E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Ruleta 64"

Që sistemi aktual zgjedhor do të ndryshojë, kjo pothuajse është e sigurt. Po para se ai të ndryshojë, vlen të analizohen defektet e tij, në mënyrë që të mos përsëriten në sistemin e ri. Një defekt i rëndësishëm i sistemit aktual është analizuar në një punim shkencor dërguar disa revistave ndërkombëtare, ndërsa më poshtë po u japim lexuesve të "Shekulli"-t një përmbledhje të tij të thjeshtuar. Le të supozojmë për një çast se rezultatet zyrtare të zgjedhjeve përputhen me ato reale.
Shpërndarja e mandateve bazuar në rezultatet zyrtare të qendrave të votimit prodhuan lëvizje nga proporcionali i pastër kombëtar, si dhe mjaft vota të tepërta që nuk ndikonin fare në shpërndarjen e mandateve. Kjo erdhi si rezultat i moskoordinimit të nenit 64 të Kushtetutës (i cili përcakton numrin e deputetëve - 140) me nenet 75, 162 dhe 163 të Kodit Zgjedhor (të cilat përcaktojnë formulat matematike që konvertojnë numrin e popullsisë sipas qarqeve dhe vullnetin e zgjedhësve në numrin e mandateve të fituara nga secili subjekt politik në garë).
Formulat matematike të proporcionalit janë studiuar nga matematikanë të ndryshëm, sidomos në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Përmendim këtu shkencëtarët që kanë dhënë kontribut të veçantë në trajtimin matematik të këtyre formulave, si Edward Huntington në gjysmën e parë të shekullit XX dhe Michael Balinski e Peyton Young në gjysmën e dytë të tij.
Ka dy lloje të formulave të proporcionalit. Lloji i parë, ai i mbetjeve të mëdha, është më i thjeshtë dhe më i kapshëm logjikisht, por që prodhon paradokse në mënyrën e funksionimit të tij. Lloji i dytë, ai i divizorëve, nuk prodhon paradokse, por ka defekte të vogla për sa i takon shpërndarjes proporcionale.
Në rastin e Shqipërisë, bëhet fjalë për kombinim të një formulë të llojit të parë (Hamilton) dhe dy formulave të llojit të dytë (D'Hont dhe Saint-Lague). Çdo formulë, e marrë më vete, prodhon shmangie të vogla nga proporcionali i pastër. Ndërsa, kur kombinohen së bashku, shmangiet janë edhe më të mëdha dhe kaotike.
Kështu, sipas shpërndarjes së pastër të votave në rang kombëtar, koalicionit të udhëhequr nga Berisha do t'i takonin 67 mandate kuvendore, e jo 70 që përfitoi sipas formulave të fiksuara në Kodin Zgjedhor. Në mënyrë të ngjashme, koalicionit të udhëhequr nga Rama do t'i takonin 65 mandate, e jo 66.
Numrat e mësipërm ilustrojnë magnitudën e shmangieve mes numrave zyrtarë të mandateve dhe atyre bazuar në proporcionalin e pastër. Ndërsa numrat në vijim ilustrojnë se sa kaotike mund të jenë shmangiet, në qoftë se ndryshohet neni 64 i Kushtetutës.
Në qoftë se neni 64 i Kushtetutës do të parashikonte 127 deputetë në Kuvend, rezultatet zyrtare do të nxirrnin fitues koalicionin Rama, me 2 mandate më tepër se koalicioni Berisha. Në qoftë se do të ishin 136 deputetë, do të kishim një barazim mes dy koalicioneve kryesore; në qoftë se të ishin 143 deputetë, do të kishim një avantazh të koalicionit Berisha me 1 mandat; dhe do të kishim po këtë situatë, në qoftë se do të ishin 151 deputetë. Ndërkohë, numri aktual i deputetëve (140) prodhon diferencën më të madhe mes dy koalicioneve kryesore - një diferencë prej 4 mandatesh.
Për sa i takon partive politike, në rastin me 127 deputetë, Partia Socialiste do të kishte 62 mandate, ndërsa Partia Demokratike 59 mandate. Me 133 deputetë, rezultati do ishte prapë në favor të Partisë Socialiste 64-62. Te numri 140, Partia Demokratike maksimizon fitoren 68-65, ndërsa për numra më të mëdhenj se 140, rezultati është më i balancuar, duke i dhënë fitoren herë njërës herë tjetrës parti me nga një deputet avantazh ose duke u barazuar.
Në mënyrë të përmbledhur, grafiku i mëposhtëm paraqet luhatjet e përqindjeve të mandateve të partive kryesore, kur numri i deputetëve në Kuvend varion nga 125 në 155. Ky grafik tregon qartazi se neni 64 i Kushtetutës mund të shndërrohet në një ruletë elektorale. Thënë ndryshe, grafiku tregon se, pas shprehjes së vullnetit të sovranit në kutitë e votimit, përcaktues i fituesit të zgjedhjeve mund të bëhet thjesht numri i mandateve në garë. Ose thënë në një gjuhë më juridike, përcaktues për fitoren mund të bëhet koordinimi ose moskoordinimi mes nenit 64 të Kushtetutës me nenet 75, 162 dhe 163 të Kodit Zgjedhor.
Meqenëse synim i këtij shkrimi nuk ishte propozimi i ndryshimeve në sistemin zgjedhor, po mjaftohemi me paraqitjen e defektit të mësipërm të sistemit aktual. Me ndreqjen e tij le të merren politikanët...

Në tabelë:
Përqindja e mandateve të çdo partie në varësi të numrit të deputetëve në Kuvend

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›